Shqipëri

Mediumi i madh amerikan shkruan për lidhjen e ish-agjentit të FBI-së me Ramën e me rusët

“Insider”, mediumi prestigjioz amerikan, shkruan për lidhjen e ish-agjentit të FBI-së me Ramën e me rusët

Një mëngjes të tetorit të vitit 2017, Allison Guerriero vuri re diçka të pazakontë në dyshemenë e apartamentit të të dashurit të saj në Park Slope, Brooklyn: një çantë plot me para të gatshme.

Afër këpucëve të tij, afër një dysheku të hollë, ishte një qese që japin në dyqane alkooli. Brenda kishte tufa me kartëmonedha, të lidhura me shirita gome. Nuk dukej si diçka që ai duhej të mbante me vete. Në fund të fundit, i dashuri i saj, Charles F. McGonigal, mbante një nga postet më të larta dhe më të ndjeshme në FBI.

“Nga dreqin erdhën këto?”, ajo pyeti.

“Oh, të kujtohet ajo loja e bejsbollit?”, McGonigal u përgjigj, siç kujton Guerriero . “Vura një bast dhe fitova”.

McGonigal kishte dy fëmijë gjimnazistë dhe një grua – ose “ish-grua” siç i referohej ai ndonjëherë – në shtëpinë në Chevy Chase, Maryland. Ai shkonte atje një ose dy herë në muaj. Por, McGonigal e kishte bërë Guerriero të besonte se ai ose ishte i shkurorëzuar ose së shpejti do të shkurorëzohej. Ajo nuk e vuri në dyshim tregimin e tij, as nuk e vuri në dyshim tregimin për çantën plot me para, transmeton Klankosova.tv.

Mattathias Schwartz, korrespondent për “Business Insider” ka zhvilluar një bisedë me Allison Guerriero, ish-dashnoren e ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonial.

Pak ditë më parë, Guerriero ishte ulur në divan me McGonigal për të parë ekipin e preferuar të McGonigalit “Cleveland Indians” që mposhtën “Yankees”. Shumë më vonë – pas diagnozës së kancerit të Guerrieros, ndarjes së tyre dhe daljes në pension të McGonigal nga FBI – McGonigal do të akuzohej me dyshimin, ndër të tjera, për pranimin e 225,000 dollarëve para të gatshme nga një ish-punonjës i agjencisë së inteligjencës shqiptare.

Ky total përfshin një shumë prej 80,000 dollarësh që dyshohet se u dorëzua në një makinë të parkuar, jashtë një restoranti më 5 tetor 2017. Por, më 5 dhe 6 tetor gjithashtu ishin ditët kur “Indians” mposhtën “Yankees” në dy ndeshjet e para të Ligës Amerikane. Sot, Guerriero nuk beson më që çanta me para përmbante fitime nga një bast sportiv.

Një nga avokatët e McGonigal, Seth DuCharme, nuk pranoi të komentojë.

Guerriero ishte 44-vjeçare kur u takuan, ish-mësuese e kopshtit e cila punoi si vullnetare për kauzat e zbatimit të ligjit dhe punonte si kontraktore për një kompani sigurie derisa jetonte në shtëpi me babanë e saj. Kurse, McGonigal, atëherë 49-vjeç, sapo kishte filluar punën e tij të re në zyrën e FBI-së në Nju Jork.

Guerriero thotë se lidhja e tyre zgjati pak më shumë se një vit. Banesa me qira e McGonigal në Brooklyn mund të ketë qenë modeste, por ai jetonte në kushte të mira. Ai u çonte Guerrieron në restorante të klasës së lartë. Ai i dhuronte asaj para të gatshme prej 500 dollarë ose 1000 dollarë – për ditëlindje dhe për Krishtlindje. Njëherë ai bëri shaka se do t’ia bënte asaj dhuratë letrat e divorcit për Krishtlindje, por ato letra nuk u materializuan kurrë. Ai e mori atë për të parë ndeshjet e hokejit të “New Jersey Devils” në një kabinë private. Ajo kujton se McGonigal dikur i dha një kartëmonedhë prej njëqind dollarësh një lipsari në rrugë. “Unë jam në gjendje pak më të mirë se ai. Mund t’ia dhuroj njëqind dollarë”, kujton Guerriero të ketë thënë McGonigal, pasi ajo u shpreh e habitur.

Ajo ditë tetori nuk ishte e vetmja herë që Guerriero kujton se McGonigal mbante sasi të mëdha parash. Pasi ia zhvendosi kureshtjen asaj, ajo zbuti dyshimet e saj. Ajo kishte pasur lidhje edhe më parë me zyrtarë federalë të zbatimit të ligjit. Dinte të mos bënte shumë pyetje për punën.

“Charlie McGonigal i njihte të gjithë në botën e sigurisë kombëtare dhe të zbatimit të ligjit”, tha Guerriero, në një intervistë për “Insider”.

“Ai i mashtroi të gjithë. Pse duhet të ndihem keq që ai mundi të më mashtronte mua?”, tha ajo.

Aktakuzat e dyfishta të ngritura kundër McGonigal në fillim të kësaj jave në Nju Jork dhe Uashington, DC, janë kulmi i një hetimi, për të cilën “Insider” raportoi ekskluzivisht vitin e kaluar, dhe ato paraqesin akuza që të lënë pa frymë për mashtrim dhe korrupsion. Por, Guerriero thotë se mashtrimet e McGonigalit u shtrinë përtej detyrave të tij si shef i kundërzbulimit dhe në jetën e tyre personale. Dy burime që e njihnin McGonigalin dhe Guerrieron në Nju Jork i thanë “Insider” se ata i besonin rrëfimit të Guerrieros për marrëdhënien, duke përfshirë pretendimin e saj se McGonigal e kishte bërë Guerrieron të besonte se ai ishte beqar, transmeton Klankosova.tv.

Dhe babai i Guerrieros tha se McGonigal shkonte rregullisht në shtëpinë e tij, ku jetonte Guerriero.

“U mashtrova në këtë mesele”, tha babai i Guerrieros. “Nëse do ta kisha ditur se ai ishte i martuar, do të kisha thënë diçka”.

Prokurorët federalë e akuzuan McGonigalin për pastrim parash dhe dhënie të deklaratave të rreme. Ai u akuzua gjithashtu për marrjen e parave nga një përfaqësues i Oleg Deripaskas, një oligark rus, të cilin McGonigal e kishte hetuar dikur vetë, duke shkelur sanksionet ekonomike të SHBA-së kundër Rusisë; aktakuza pretendon se Deripaska e pagoi atë për të hetuar një oligark rival. Ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat.

McGonigal nuk ishte një agjent i zakonshëm i FBI-së.

Ai drejtoi hetimin e “WikiLeaks” për Chelsea Manning si dhe një kërkim për një spiun kinez brenda CIA-s. Ndërsa punonte në selinë e FBI-së në Uashington, ai luajti një rol në nisjen e hetimit për kontaktet e fushatës së Trumpit me Rusinë, që më vonë u quajt Operacioni “Crossfire Hurricane”.

Mirëpo, kjo ishte puna e fundit e tij në FBI, një agjent special i ngarkuar me divizionin e kundërzbulimit në zyrën e terrenit të FBI-së në Nju Jork, detyra e tij më e rëndësishme në byro. Detyra e tij ishte të gjente spiunët e armikut dhe të rekrutonte të vetët.

“Qyteti i Nju Jorkut është një qendër globale për zbulimin dhe kundërzbulimin”, thotë një zyrtar i brendshëm i lartë i zbatimit të ligjit, i cili ishte i njohur nga afër me specifikat e rolit të McGonigalit.

“Keni vizita nga elitat e huaja të biznesit dhe politikanë. Keni Kombet e Bashkuara. Keni popullsi etnike. Kush i kryeson shfaqjet e rekrutimit të spiunëve nga të gjitha ato vende të tjera? FBI. Pra, aksesi që keni në atë punë është i jashtëzakonshëm. Pra, nëse jeni duke drejtuar kundërzbulimin e FBI-së në Nju Jork, mund të fusni duart pothuajse në çdo gjë që dëshironi dhe jo gjithmonë duhet të arsyetoheni përse po e kërkoni atë”.

Ndikimi i padive të McGonigal është po qarkullon nëpër botën e zbatimit të ligjit. Akuzat ngarkojnë një zyrtar në qendër të hetimit Trump-Rusi për shitjen e fshehtë të aksesit të tij, pranimin e pakove të parave të gatshme në takime të fshehta me dikë që kishte lidhje me inteligjencën shqiptare. McGonigal, një pjesëtar i nivelit të lartë të komunitetit të zbatimit të ligjit të qytetit, një njeri që e kishte integruar plotësisht veten në një rreth të fuqishëm besimi ku shkëmbehen favoret dhe qarkullojnë informacione të ndjeshme, akuzohet vetë se ka marrë ryshfet. Nëse aktakuzat janë të sakta, McGonigal po bënte një jetë të rrezikshme të dyfishtë, pikërisht nën hundën e disa prej policëve më të mprehtë në Amerikë.

Por, ajo që mund të jetë më e habitshme në lidhje me çështjen kundër McGonigal është se sa lirë ai pretendohet se i ka shitur kompetencat e tij të zbatimit të ligjit. Një aktakuzë thotë se për 225,000 dollarë, bashkëpunëtorët e McGonigalit e detyruan atë të lobonte te kryeministri shqiptar për dhënien e licencave për shpimin e fushës së naftës dhe më pas të hapte një hetim të FBI-së lidhur me një shtetas amerikan që kishte lobuar për një nga kundërshtarët politikë të kryeministrit. Organizimi i një takimi për një shef ekzekutiv nga një kompani farmaceutike boshnjake me një zyrtar amerikan në Kombet e Bashkuara u tha se ishte një artikull më i shtrenjtë – 500,000 dollarë, pretendohet në një aktakuzë. Është e paqartë nëse ato para janë materializuar ndonjëherë.

Në shtator të vitit 2018, McGonigal u largua nga FBI për të punuar si zëvendëspresident në “Brookfield Properties”, një kompani multimiliardëshe e pasurive të paluajtshme. Rroga e tij atje ishte me shumë gjasa më e lartë se ajo që ai fitoi brenda qeverisë, por jo aq e lartë sa të endet nëpër suita ose penthouse si të oligarkëve në Nju Jork. Një burim nga forca ligjzbatuese vlerësoi se McGonigal fitonte rreth 300,000 deri në 350,000 dollarë në vit, duke përfshirë bonuset vjetore. “Ai tha se duhej të fitonte më shumë para”, tha Guerriero, e cila ishte ende në marrëdhënie me McGonigalin kur u largua nga FBI. “Ai kishte dy fëmijë për t’i shkolluar në kolegj”.

Vlera që McGonigal akuzohet se ka dhënë – aksesi dhe tërheqja e tij – janë të qarta në aktakuza. Një prej tyre pretendon se ai organizoi që vajza e një kontakti të huaj, një studente kolegji, të bënte një turne prej VIP-i nga Departamenti i Policisë së qytetit të Nju Jorkut. Aktakuza e identifikon atë kontakt të huaj si “Agjenti-1”, një agjent i oligarkut rus Deripaska, ish-diplomat rus dhe oficer i përfolur i inteligjencës ruse. Ky përshkrim përputhet me Evgeny Fokin, i cili punon për En+, një kompani energjetike në pronësi të Deripaskas, dhe ishte tashmë e lidhur me McGonigalin dhe me një bashkëpunëtor në dosjen e Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj, i paraqitur nga nëntori 2021.

Identiteti i Agjentit-1 mbetet i pakonfirmuar. As Fokin dhe as En+ nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Një person i njohur me marrëveshjen e NYPD tha se vajza ishte një mysafire, jo një praktikante. Ajo nuk kishte akses të pavarur në objektet e policisë, thanë ata, dhe nuk iu dha asnjë punë për të bërë.

Guerriero kujton që McGonigal përdorte resurset e FBI-së për marrëdhënien e tyre. Një herë, ata bënë seks në një SUV që ajo e kuptoi se ishte pronë e qeverisë federale. Pasi u zbulua se kishte kancer gjiri, kujton Guerriero, McGonigal herë pas here dërgonte një agjent junior në një veturë të FBI-së për ta transportuar atë nga Nju Xhersi në apartamentin e kushëririt të saj në Nju Jork. Pavarësisht mashtrimit të vazhdueshëm për statusin e tij martesor, McGonigal ishte “i kujdesshëm, i dashur dhe i shqetësuar” gjatë periudhës së sëmundjes së saj, thotë ajo, transmeton Klankosova.tv.

Në fund të vitit 2018, McGonigal dhe Guerriero u ndanë. Ajo kujton se mori një shënim anonim dhe armiqësor në postë. Menjëherë pas kësaj, McGonigal i tha asaj se ai ishte ende i martuar dhe nuk kishte plane të shkurorëzohej nga gruaja e tij. “U trondita”, tha ajo. “Isha shumë e dashuruar me të dhe isha shumë e lënduar”. Ajo filloi të pinte shumë për ta përballuar. Disa muaj më vonë, Guerriero, pas një periudhe alkoolizmi, i dërgoi një email të zemëruar William Sweeneyt, i cili ishte në krye të zyrës së FBI-së në New York City, dhe i cili, kujton ajo, e kishte prezantuar atë për herë të parë me McGonigalin. Ajo kujton se i tha Sweeneyt në email se ai duhet të kontrollonte lidhjen e tyre jashtëmartesore dhe gjithashtu marrëdhëniet e McGonigalit në Shqipëri. McGonigal veçse ishte miqësuar me kryeministrin e Shqipërisë dhe kishte udhëtuar shpesh atje, punë që do të shfaqeshin më vonë në një nga paditë e tij. Guerriero i tha “Insider”-it se e kishte fshirë emailin.

Sweeney nuk iu përgjigj një kërkese për koment të bërë përmes punëdhënësit aktual të Sweeneyt, “Citigroup”. “Insajder” nuk mundi të konfirmonte që Guerriero e kishte dërguar emailin ose që Sweeney e kishte pranuar atë. Pavarësisht kësaj, deri në nëntor 2021, FBI kishte nisur ta vëzhgonte McGonigalin. Dy agjentë u shfaqën në derën e Guerrieros, thotë ajo, i treguan asaj një foto të McGonigalit me kryeministrin shqiptar dhe e intervistuan për ndërveprimet e tyre. Ajo gjithashtu mori një urdhër nga gjykata që kërkonte të gjitha komunikimet e saj me McGonigalin, si dhe informacione për çdo “pagesë ose dhuratë” që ai mund t’i ketë dhënë asaj.

Guerriero pranon se kombinimi i abuzimit me alkoolin dhe problemet e saj shëndetësore shkaktuan disa sjellje ekstreme, duke përfshirë dërgimin e emaileve armiqësore drejt familjes së McGonigalit, përmbajtjen e të cilave ajo thotë se nuk mund ta kujtojë. “Me të vërtetë e teprova”, tha ajo. “I ngacmova ata. Nuk do ta mohoj këtë. Isha e tmerrshme ndaj tyre”.

Sipas fjalëve së saj, Guerriero kontaktoi një nga fëmijët e McGonigalit, pavarësisht se i ishte ndaluar ta bënte këtë me një urdhër gjykate, një incident që e dërgoi atë një natë në një burg të Nju Xhersit. Urdhri i gjykatës buronte nga një raport i policisë i vitit 2019, i siguruar nga “Insider”, që gruaja e McGonigalit, Pamela, depozitoi në Departamentin e Policisë së Qarkut Montgomery në Maryland. Raporti thotë se McGonigal dhe Guerriero “kishin një marrëdhënie” dhe se Guerriero e kishte ngacmuar në mënyrë të përsëritur me email dhe telefonata të padëshiruara (Pamelan) – duke përfshirë 20 telefonata në një ditë – pavarësisht se ajo i kërkoi Guerrieros të ndalonte.

Guerriero konfirmoi se kontakti i saj me familjen McGonigal çoi në një urdhër të tjetër ndalimi të lëshuar në Nju Xhersi. “Më vjen turp dhe siklet dhe më vjen keq për veprimet e mia gjatë kohës që kam pirë”, tha ajo.

Allison Guerriero e njihte Rudy Giuliani nga qarqet e zbatimit të ligjit. Giuliani e la të qëndronte në dhomën e miqve në rezidencën e tij pasi shtëpia e babait të Guerriero mori flakë në vitin 2021. Allison Guerriero

Problemet e Guerrieros u përkeqësuan në fillim të vitit 2021, kur ajo u dogj keq gjatë një zjarri në shtëpinë e babait të saj. Ajo u kërkoi miqve për ndihmë përmes platformës “GoFundMe”. Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Rudy Giuliani, të cilin ajo e njihte nga qarqet e zbatimit të ligjit, e la të qëndronte në një dhomë gjumi mysafirësh. Që atëherë, Guerriero ka qenë një telefonuese e shpeshtë në emisionet radiofonike të Giulianit. Ajo mendon se zgjedhjet e vitit 2020 u dëmtuan nga mashtrimi i madh i votuesve, një besim i shtyrë nga Giuliani që është demantuar vazhdimisht. “Çfarëdo që thotë Giuliani për zgjedhjet e 2020, është ajo që unë besoj”, tha ajo. Gjatë marrëdhënies së saj me McGonigalin, Guerriero thotë se ata kurrë nuk folën për politikë. “Mendova se ai ishte apolitik”, tha ajo, “që është diçka që unë vazhdoj ta besoj”.

FBI nuk pranoi të trajtojë specifikat e tregimit të Guerrieros . Në vend të kësaj, FBI-ja dërgoi një deklaratë nga drejtori Christopher Wray, i cili tha se FBI-ja i mban punonjësit në “standardin më të lartë” dhe i trajton të gjithë në mënyrë të barabartë, “edhe kur është një nga tanët”. “Insajder” foli me tre nga ish-kolegët e zbatimit të ligjit të McGonigalit, të cilët u shprehën të tronditur për aktakuzat. “Është zemërthyese”, tha njëri, i cili kishte punuar së bashku me McGonigalin në FBI. “Kjo është një organizatë e jashtëzakonshme e mbushur me burra dhe gra vërtet të përkushtuar. Kjo e kthen imazhin dhe reputacionin tonë mbrapa”.

Babai i Guerrieros tha se pikëpamja e tij për FBI-në tashmë ishte njollosur nga mënyra se si McGonigal e trajtoi vajzën e tij. “Kam pasur gjithmonë admirim të madh për FBI-në”, tha ai. “I idealizova agjentët që pash në filma. Mendova se këta njerëz ishin perëndi, se ata kurrë nuk bënë asgjë të keqe. Ishte kaq zhgënjyese”. Megjithatë, ai tha se McGonigal e kishte telefonuar pas përfundimit të marrëdhënies për t’i kërkuar falje për sjelljen e tij dhe se ai kishte pranuar faljen e McGonigalit. /Klankosova.tv

(Mattathias Schwartz është një korrespondent i lartë në “Insider” dhe shkrimtar kontribuues në New York Times Magazine)