Maqedonia e Veriut akoma pa strategji për pritjen e refugjatëve eventualë nga Ukraina
Shteti vendosi të gjejë kapacitete publike e private për strehimin e refugjatëve ukrainas. Por, dy ditë më vonë luten që mos të vijnë ata, ngaqë nuk janë të gatshëm t’i presin, shkruan Alsat.
Në përgjigjen që morën nga qeveria, thonë se vendi ynë nuk është në rutën e dyndjeve të refugjatëve ukrainas, siç ka qenë rasti i refugjatëve nga Siria. Qeveria ende nuk ka të hartuar strategji për pritjen e tyre e as nuk di nga ti siguroj paratë. Jo zyrtarisht, mësuam se dy janë mundësitë: para nga buxheti i shtetit ose donacione nga OKB.
“Në bazë të obligimit nga seanca e pardjeshme, institucionet shtetërore që kanë objekte akomoduese në pronësi të tyre, sa më shpejt që të jetë e mundur do të dorëzojnë informacione, pas së cilës do të kemi një përgjigje të saktë, për të qenë gati për pranimin e mundshëm të refugjatëve nga Ukrainë”, njoftojnë nga Qeveria e RVM-së.
Sipas informacioneve që morëm janë targetuar tre objektet e shtetit Strehimorja “25 Maji” me kapacitet prej 120 personash, konvikti Pellagonia me 400 persona dhe konvikti Goce Dellçev me 480 persona. Kjo tregon se aktualisht mund të strehojmë rreth 1,000 refugjatë në objekte publike, të tjerët nëpër hotele.
“Njëri nga lokacionet që pritet të përgatitet për refugjatët eventual të ardhur nga Ukraina është Strehimorja ’25 Maji’, e cila aktualisht është e pashfrytëzuar dhe fëmijët janë të dislokuar nëpër qendrat tjera të shtetit dhe këtu aktualisht është vetëm administrata e këtij institucioni”.
Se nuk është lëvizur nga pika zero, kjo tregohet dhe përmes reagimit të Ministrisë së punës dhe politikës sociale, e cila na kthen përgjigjen e njëjtë të Qeverisë.
“Në kuadër të mundësive tona jemi të gatshëm të ofrojmë kapacitetet që janë në dispozicion në institucionet përkatëse, siç janë institucionet publike që ofrojnë akomodim me kohë të plotë”, tha Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.
Nga Kryqi i Kuq i Maqedonisë thanë se sipas përvojave të deritanishme shteti ka kapacitet të strehojë deri në 10 mijë refugjatë. Përveç organizimit shtetëror për pritje të refugjatëve, ukrainasit kanë nisur të vijnë nëpër familjarët e tyre, deri tani janë regjistruar 6 shtetas të Ukrainës të ardhur nga vatrat e luftës. /Alsat.mk