SHBA thotë se Putin do të sulmojë, gazetarja shqiptare nga Kievi: Rrugët janë bosh, të gjithë presin diçka…
Kemi lënë Lvivin, kryeqytetin e dytë, perëndimor të Ukrainës, dhe rreth 70 kilometra më tej, është një qytezë e vogël tipike ukrainase e quajtur Stryi. E mbushur me flamuj ukrainas, qyteza të jep ndjesinë e sigurisë. Shkojmë në një nga baret ku na pret kapelani Mihajllo Illnecki, një burrë në moshë, i veshur me uniformën e ushtrisë ukrainase dhe me sy zhbirues që pyet dhe pret përgjigje të sakta. E pyes se çfarë pret të ndodhë tani.
-“Pres paqe,” – thotë duke qeshur, dhe pastaj shton, “por ka kërcënim nga Lindja”.
Bisedojmë për zonat e nxehta në Ukrainë dhe kapelani se Kievi është në rrezik nëse do të ketë një sulm masiv nga federate ruse. Por “nuk ka rrezik që ushtria ruse ta marrë Kievin,” shton me siguri.
“Rreziku kryesor është që rusët ruse mund ta bombardojnë Kievin dhe të shkaktojnë shumë viktima civile dhe të dëmtojë infrastrukturën,” thotë ai. Dhe rënia e Kievit do ta disintegronte Ukrainën.
Kapelani është mëse i qartë dhe ky është shqetësimi më i madh. Por lufta në Ukrainë ka kohë që ka filluar, që në 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë.
Romana Naidenko, një 60 vjeçare, e cila jeton gjithashtu në këtë qytezë, thotë se kjo ishte një periudhë e vështirë kur ushtria mbijetonte me entuziazëm. Romana dhe ukrainas të tjerë u bënë vullnetarë dhe mblodhën ndihma për ushtrinë.
“Të gjithë e mbështetën ushtrinë, me se mundën. Edhe fëmijët bënin vizatime për ushtarët në front,” thotë ajo.
Po tani, nëse do të ketë përsëri nevojë, çfarë do të bëjë ajo dhe vullnetarët e tjerë, a do ta mbështesin përsëri ushtrinë ukrainase me gjithçka? Përgjigja është e menjëhershme dhe e vendosur.
“Absolutisht. Dhe jo vetëm unë. Kam përshtypjen se kështu do të bëjnë të gjithë. Dhe sot që të gjithë presin luftën, ne dyqanet i kemi plot me mallra, por njerëzit nuk kanë për të blerë mallra, por do të shkojnë të blejnë armë,” thotë Romana.
Romana trupvogël ka një vështrim të mprehtë dhe në momentin që flet, e kupton qartë që kjo grua nuk ka pikë dyshimi në atë që thotë. Lëmë qytezën simpatike për të shkuar drejt Kievit, kryeqytetit të rrezikuar të Ukrainës, një qytet me pak më pak se 3 milionë banorë, i madh dhe rrëzëllitës, edhe pse nën kërcënimin e luftës.
Duhet të udhëtojmë përsëri. 7 orë me makinë përmes qytezave dhe fshatrave të Ukrainës, nga Lvivi në Kiev të japin një ndjesi të pakëndshme. Nga njëra anë e rrugës jemi ne dhe shumë pak makina, që shkojmë drejt Kievit, ndërsa nga ana tjetër shumë më tepër që dalin nga Kievi dhe shkojnë drejt Ukrainës perëndimore. Ka pjesë të rrugës ku nuk ka asnjë lëvizje dhe ndjesia që të jep vetmia në ato pjesë është e papërshkrueshme, si apokalips. Hyjmë në një kafene tipike ukrainase, e ndërtuar me trarë druri dhe vatra me zjarrin në mes. Përsëri vetmi, jemi vetëm ne, dhe një zonjë ukrainase që na bën kafe turke në filxhanë tradicionalë, shumë të veçantë. Ka një shikim të përhumbur, e ulur aty në një qoshe, aq sa më ngjall trishtim. Në fakt as nuk di më çfarë ta pyes, përgjigjet janë të ngjashme, këtu nuk mund të bësh plane afatgjata, ditë e re, lajme të reja…
Ecim përsëri drejt Kievit, dhe periferia e tij rikthen zhurmën e zakonshme dhe normale të një qyteti të madh. Shkojmë drejt qendrës, aty ku do të qëndrojmë dhe për mua, gjithmonë puna e parë është të flasim me njerëzit, qytetarët e zakonshëm, që sido që të shkojë situata, vuajnë të parët dhe janë të parët që sakrifikohen.
I afrohem një burri rreth të tridhjetave dhe e pyes nëse mund të bisedojmë për situatën këtu në Kiev.
-Po, çfarë dëshiron të dish,- ma kthen me qetësi.
-Çfarë prisni ju, – ia kthej.
-Paqe,- përgjigjet.
-A do të largoheni nga Kievi,- e pyes.
-Jo, do të rri këtu.
Largohet në muzgun që po bie mbi qytet, pa thënë më asgjë tjetër. Në rrugicën përballë, një djalosh rreth të 20-tave qëndron tek dera e një dyqani të vogël që shet sende ushqimore.
E pyes si është situata. -Unë duhet të punoj,- më thotë, – duhet te punoj, pastaj do të shkoj në Angli, do punoj atje siç punoj këtu…
Plane afatgjata, mendoj me vete, janë pikërisht planet afatgjata ato që tregojnë pak a shumë normalitetin e jetës. Por Kievi nuk duket se e ka tani këtë luks.
Nata ka rënë në qytet dhe në rrugë shihen pak njerëz dhe makinat që çajnë rrugët me shpejtësi. Lajmet janë shqetësuese dhe netët në Kiev duken të gjata, pa fund. Mezi pres të zbardhë dita, duket sikur në agim, lajmet nuk do të ngjallin më aq trishtim për kryeqytetin e bukur të Ukrainës. /abcnews.al/