Kryeministri Kurti takohet me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut
Ndër takimet e para bilaterale në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherit ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e zhvilloi me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Kryeministri Kurti e uroi homologun Kovaçevski për detyrën e re dhe i dëshiroi udhëheqje të suksesshme të qeverisë, duke i ofruar bashkëpunim të ngushtë. Në këtë takim të parë bilateral, kryeministri Kurti e njoftoi kryeministrin Kovaçevski për të arriturat e vitit të parë të qeverisjes së tij. Në vitin 2021, Kosova ka shënuar rritje dyshifrore ekonomike, eksportet dhe investimet e huaja janë rritur për 2/3-tat, kurse të hyrat buxhetore dhe qarkullimi vjetor i bizneseve për 1/3-tat. Si rezultat i luftës së vazhdueshme të krimit dhe korrupsionit, Kosova ka shënuar përmirësim rekord vjetor për 17 vende në indeksin e Transparency International për perceptimin e korrupsionit. Në të njëjtën kohë, nga vendi i fundit në rajon për nga përqindja e popullatës së vaksinuar kundër COVID-19, Kosova sot renditet në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor.
Në shtatorin e vitit të kaluar është mbajtur mbledhja e parë e përbashkët në mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo mbledhje ishte konfirmim i marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit të mirë në mes dy vendeve. Gjatë takimit të sotëm u diskutua mbi statusin dhe progresin e marrëveshjeve dhe memorandumeve të nënshkruara gjatë mbledhjes së përbashkët. Muajin tjetër bëhen gjashtë muaj nga mbledhja e përbashkët, dhe me këtë rast pritet të bëhen vlerësimet e para të progresit dhe zbatimit të marrëveshjes nga dy zyrat respektive, theksoi kryeministri Kurti.
Përpos bashkëpunimit bilateral, në takim u trajtua edhe bashkëpunimi rajonal. Kryeministri Kurti tha se Kosova mbështet bashkëpunimin dhe integrimin rajonal mbi bazën e trajtimit të barabartë. Në këtë drejtim, Kosova mbështet Procesin e Berlinit dhe konsideron se Tregu i Përbashkët Rajonal në kuadër të tij është platforma e duhur dhe e vetme që mundëson zbatimin e plotë të katër lirive në mes të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sa i përket sigurisë rajonale, kryeministri Kurti tha se Kosova është e përkushtuar që të bëhet anëtare e NATO-s. Përfshirja e Kosovës nën ombrellën e aleancës atlantike, për të cilin mision e konsiderojmë Maqedoninë e Veriut si aleat dhe partner të afërt, i kontribuon sigurisë, paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, tha kryeministri Kurti.
Në anën tjetër, kryeministri Kovaçevski e falënderoi kryeministrin Kurti për urimin. Ai tha se ky është takimi i parë me fqinjin e parë në kuadër të Konferencës së Mynihut, duke shtuar se Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbetet po aq e përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Republikën e Kosovës si në rrafshin bilateral ashtu edhe në rrafshin e synimeve të përbashkëta për rajonin dhe integrimin e plotë në Bashkimin Evropian.