Beteja kundër kumarit dhe kredive të shpejta po vazhdon me vendosmëri. Kryetari i Komunës së Çairit dhe bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur se kontrollet ndaj shoqërive financiare kanë sjellë rezultate konkrete, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve nga praktikat që i rëndojnë financiarisht.
Sipas Mexhitit, deri më tani janë kontrolluar 27 shoqëri financiare, ndaj të cilave janë shqiptuar 18 masa inspektuese.
Ai ka bërë të ditur se si rezultat i këtyre kontrolleve, pritet që qytetarëve t’u kthehen nga 140 deri në 200 milionë denarë, ndërsa gjobat për shkeljet e konstatuara mund të arrijnë deri në 100 mijë euro.
Mexhiti ka theksuar se qëllimi i këtyre veprimeve është mbrojtja e familjeve, të ardhurave dhe mirëqenies së qytetarëve, duke mos lejuar që varësia nga kumari apo nevoja për kredi të shpejta të shfrytëzohet në dëm të tyre.
“Paratë dhe dinjiteti i qytetarëve meritojnë mbrojtje. Ne do të vazhdojmë të veprojmë me kontrolle, përgjegjësi dhe zbatim të ligjit, pa përjashtim!”, ka deklaruar Mexhiti.

