Kreu i LSDM-së pretendon se hyrja e Alta Bankës në Maqedoninë e Veriut ngre dyshime për pastrim parash, trafik droge dhe kapital rus. Ai kërkoi nga Mickoski të tregojë me kë e ka bërë marrëveshjen për hyrjen e bankës në vend.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka përplasur ashpër kryeministrin Hristijan Mickoski në seancën e sotme parlamentare për pyetje të deputetëve, duke ngritur akuza për marrëveshje të dyshimta me kompani serbe dhe hyrjen e Alta Bankës në Maqedoninë e Veriut.
„Hristijan, porosituni miqve tuaj nga Serbia, me të cilët bëni pazare për mazut, të mos më kërcënojnë, sepse unë nuk u frikësohem. Unë jam në anën e Maqedonisë, ju jeni në anën e kriminalitetit“, i tha Filipçe kryeministrit Mickoski nga foltorja e Kuvendit.
Në qendër të përplasjes ishte Alta Banka, për hyrjen e së cilës në tregun maqedonas Filipçe kërkoi përgjigje të drejtpërdrejtë nga kryeministri. Ai pretendoi se kjo bankë shoqërohet me dyshime serioze për pastrim parash, trafik droge dhe kapital rus.
„Në rrethana të tilla, në këto ujëra të turbullta po e sillni Alta Bankën. Bankën më kriminale në Evropë. Bankën në të cilën Vuçiqi ka pastruar para dhe ku ka pasur para nga trafikimi i drogës dhe kapital rus, të ndaluar kudo në Evropë, ndërsa ju i sollët këtu“, deklaroi Filipçe.
Ai përmendi edhe emrin e Davor Macuas, duke pretenduar se fillimisht ishte ndaluar përmes njërës prej kompanive të tij, ndërsa më pas i ishte mundësuar hyrja në Maqedoninë e Veriut përmes bankës.
Filipçe vuri në pikëpyetje edhe deklaratat e pushtetit se bëhet fjalë për një problem të importuar, duke ia atribuar përgjegjësinë drejtpërdrejt Qeverisë.
„Thoni se problemi është importuar. Po, por ju e importuat atë problem. Ju i rrezikuat paratë e qytetarëve dhe të kompanive. Tani po kërkohet një zgjidhje. Po a nuk thoshit se nuk kishte problem? Pse tani po kërkohet zgjidhje?“, deklaroi ai.
Në fund, kreu i LSDM-së përsëriti pyetjen drejtuar Mickoskit: „Me kë e bëtë pazarin për hyrjen e Alta Bankës në shtet?“

