SHËNIMI I FESTAVE TË NËNTORIT NË SHAM ,,MEDRESEJA ISA BEU” – PARALELJA E VAJZAVE, SHKUP

Më 25.11.2026, në Medresenë „Isa Beu”, paralelja e vajzave në Shkup, në një atmosferë festive dhe emocionuese, shënuoi dy nga datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare: 22 Nëntori – Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe 28 Nëntori – Dita e Flamurit Kombëtar.

Programi i moderuar nga nxënësja Bushra Neziri, filloi me një asher kuranor, të interpretuar nga nxënësja Samira Aliu (III-3). Më pas, në shenjë respekti dhe krenarie kombëtare, u këndua Himni Shqiptar, transmeton portali Lideri.mk.

Të pranishmëve iu drejtua koordinatori i paraleles, prof. Muharem Loki, i cili në fjalën e tij përshëndetëse uroi nxënëset dhe stafin për festat kombëtare. Ai foli për rëndësinë historike të këtyre datave, duke rikujtuar se 22 Nëntori përfaqëson një moment vendimtar në historinë e gjuhës dhe identitetit tonë kombëtar, ndërsa 28 Nëntori simbolizon lirinë, pavarësinë, sakrificën dhe bashkimin kombëtar.

" "

Në fjalimin e tij, profesori theksoi se gjuha shqipe është një nga thesaret më të çmuara të identitetit tonë dhe se ruajtja, kultivimi dhe përcjellja e saj te brezat e rinj është përgjegjësi e përbashkët. Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e njohjes së historisë sonë dhe të figurave që kontribuuan në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe vlerave kombëtare, transmeton portali Lideri.mk.

Programi vazhdoi me prezantimin e projektit të përgatitur nga nxënëset e vitit të katërt, IV-3 dhe IV-4, me temën :

„MES BESIMIT DHE ATDHEUT – IDENTITETI, DIJA DHE RRËNJËT SHQIPTARE”

Përmes këtij projekti, nxënëset trajtuan tema të rëndësishme që ndërlidhin historinë, gjuhën, letërsinë, besimin dhe identitetin kombëtar, duke përcjellë mesazhin se dashuria për atdheun, dija dhe besimi janë vlera që plotësojnë njëra-tjetrën.

Projekti u shtjellua përmes këtyre temave:

1. Nga rrënjët te Pavarësia – udhëtimi i identitetit shqiptar.
2. Dy data që shënojnë historinë e kombit shqiptar – 22 dhe 28 Nëntori.
3. Nga gjuha te liria – kontributi i shqiptarëve për kombin.
4. Atdheu në letërsinë shqiptare.
5. Atdheu dhe besimi.
6. Atdheu si bashkim dhe identitet.

Në realizimin e këtij projekti kontribuuan nxënëset:

* Medina Rafizi – IV-3
* Sumeja Abazovska – IV-3
* Zejnep Ademi – IV-4
* Munise Selimi – IV-4

Më pas, atmosferës festive iu shtua edhe më shumë emocion përmes poezisë kushtuar kësaj dite, të interpretuar nga nxënësja Ajla Rexhepi (III-3).

Një nga pikat më domethënëse të programit ishte monologu me titull „Historia flet shqip”, i cili solli në vëmendje historinë, përpjekjet dhe kontributin e figurave të shquara shqiptare, të cilat me veprën, përkushtimin dhe sakrificën e tyre lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë kombëtare. Përmes këtij interpretimi u përcollën mesazhe mbi dashurinë për atdheun, ruajtjen e identitetit dhe rëndësinë e trashëgimisë sonë kombëtare.

Në këtë interpretim morën pjesë nxënëset:

* Beisa Iseni – II-3
* Ajlin Emrullovska – II4
* Sara Haredin – I-3
* Hafsa Islami – II-3
* Husna Xhemaili – II-3
* Iman Lata – III-3

Programi u begatua edhe me ilahi të interpretuara nga grupi i korit, të përgatitura me përkushtim nga vetë nxënëset, të cilat i dhanë aktivitetit një atmosferë të veçantë shpirtërore dhe artistike.

Përgatitja dhe realizimi i këtij programi u udhëhoqën nga profesoreshat e gjuhës shqipe, prof. hfz. Arzije Muharemi dhe prof. Ibadete Rexhepi ,të cilat me përkushtimin dhe punën e tyre kontribuuan në organizimin dhe realizimin e këtij aktiviteti festiv.

Gjuha është identiteti ynë, flamuri është krenaria jonë, ndërsa historia është kujtesa që na mban të bashkuar!

Përmes këtij aktiviteti, nxënëset dëshmuan se dashuria për gjuhën, kombin dhe atdheun kultivohet përmes dijes, artit dhe respektit për historinë tonë.

Gëzuar 22 Nëntorin – Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!

Gëzuar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit Kombëtar!

sqShqip