Shkolla Fillore Komunale “Jeronim De Rada” në Çerkez të Kumanovës është përfaqësuar me sukses në manifestimin kushtuar 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, të organizuar në kuadër të aktiviteteve të Javës Kulturore Shqiptare në Kumanovë, raporton tvfesta.mk.

Nxënësit e kësaj shkolle, përmes poezisë, artit figurativ dhe interpretimit letrar, kanë prezantuar vlerat e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar.

Grupi letrar i shkollës ka prezantuar recitalin poetik “Krahët e Nëntorit”, me pjesëmarrjen e nxënësve Eda Sherifi, Shpresa Abazi, Lum Aziri, Resul Fazliu, Xhenisa Mustafi dhe Liburn Beqiri, nën mentorimin e profesorit Emrah Bilalli.

Me një paraqitje të veçantë është prezantuar edhe nxënësja Jusra Asani, e cila përmes interpretimit të poezisë “Gjuha, shpirti i një kombi”, ka përcjellë mesazhin e rëndësisë së gjuhës shqipe në ruajtjen e identitetit kombëtar.

" "

Një sukses të veçantë ka shënuar nxënësja Vlera Arifi, e cila ka fituar vendin e parë në artin figurativ me veprën e saj artistike me motive kombëtare, nën mentorimin e profesorit Dali Alili.

Nga shkolla “Jeronim De Rada” kanë përgëzuar nxënësit për talentin, përkushtimin dhe paraqitjen e tyre, si dhe mësimdhënësit mentorë për angazhimin në kultivimin e vlerave kulturore dhe kombëtare te brezat e rinj.

“Sepse gjuha, arti dhe kultura janë trashëgimia që duhet ta ruajmë, ta zhvillojmë dhe t’ua përcjellim brezave që vijnë!”, thuhet në njoftimin e shkollës.

sqShqip