Këshilltarja e VLEN-it në Komunën e Butelit, Albesa Raman, ka kërkuar përgjegjësi institucionale për moszbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, duke theksuar se vendosja e mbishkrimit në gjuhën shqipe në Parkun “Oaza” nga qytetarët nuk mund ta zëvendësojë detyrimin e institucioneve.
Raman ka përshëndetur iniciativën qytetare dhe ka shprehur mbështetjen për çdo nismë që synon zgjidhjen e problemit, por ka theksuar se përgjegjësia për zbatimin e ligjit u takon institucioneve kompetente.
Ajo ka kritikuar edhe mënyrën se si BDI gjatë kohës sa ka qenë në pozita vendimmarrëse i ka trajtuar çështjet e përdorimit të gjuhës shqipe, duke lënë pas, sipas saj, zgjidhje gjysmake dhe probleme të pazgjidhura.
“Ne nuk pranojmë që gabimet dhe lëshimet e së kaluarës të vazhdojnë të prodhojnë pasoja edhe sot. Vendosja e mbishkrimit në shqip në Parkun ‘Oaza’ nga qytetarët nuk e zgjidh problemin dhe nuk e zëvendëson detyrimin ligjor të institucioneve”, ka deklaruar Raman.
Ajo ka kërkuar që Ligji për përdorimin e gjuhëve të zbatohet plotësisht në mbishkrimet publike, dokumentacionin zyrtar, komunikimin institucional dhe të gjitha shërbimet komunale.
“Nuk kërkojmë privilegje, por zbatimin e ligjit, barazi dhe trajtim të drejtë të qytetarëve. Respektimi i gjuhës shqipe nuk është çështje vullneti politik, por detyrim ligjor”, ka theksuar këshilltarja e VLEN-it.
Raman ka paralajmëruar se këshilltarët e VLEN-it në Butel do të vazhdojnë të kërkojnë përgjegjësi dhe zbatim të plotë të ligjit, duke kundërshtuar çdo zgjidhje të pjesshme për të drejtat gjuhësore të shqiptarëve.

