Këshilltarët e AKI-së në Komunën e Butelit kanë njoftuar se në tabelën hyrëse të Mega Parkut është vendosur edhe mbishkrimi në gjuhën shqipe, pas reagimeve dhe kërkesave të vazhdueshme drejtuar institucioneve. Ata akuzojnë Komunën e Butelit dhe Qytetin e Shkupit se kanë injoruar detyrimet ligjore për përdorimin e gjuhës shqipe në hapësirat publike
Shkup, 24 nëntor – Pas polemikave dhe reagimeve të shumta për mungesën e gjuhës shqipe në tabelën hyrëse të Mega Parkut në Butel, këshilltarët e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI) në këtë komunë kanë njoftuar se mbishkrimi është vendosur edhe në shqip. Në një konferencë për shtyp të mbajtur pranë parkut, ata deklaruan se ky veprim është ndërmarrë pasi institucionet përgjegjëse, përkundër kërkesave të vazhdueshme, nuk kanë vepruar për respektimin e dygjuhësisë. Sipas përfaqësuesve të AKI-së, çështja e mungesës së shqipes në tabelën e parkut është ngritur disa herë në opinionin publik, në rrjetet sociale dhe në seancat e Këshillit të Komunës së Butelit. Ata theksuan se i janë drejtuar edhe Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, por, sipas tyre, kërkesat nuk kanë marrë përgjigjen e duhur institucionale.
“Për këtë çështje kemi reaguar vazhdimisht, përmes mediave, rrjeteve sociale, në seancë të Këshillit të Komunës së Butelit dhe me kërkesa drejtuar Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve. Megjithatë, deri tani institucionet përgjegjëse nuk i morën parasysh kërkesat tona për respektimin e dygjuhësisë”, deklaruan këshilltarët e AKI-së.
Ata thanë se, përballë kësaj situate, është ndërmarrë një veprim konkret për vendosjen e mbishkrimit në gjuhën shqipe, duke vlerësuar se një gjë e tillë është dashur të realizohej nga vetë institucionet që kanë përgjegjësi për hapësirën publike. “Atë që e bënë qytetarët, në fakt, duhej ta bënin Komuna e Butelit dhe Qyteti i Shkupit. Dhe shtrohet një pyetje e thjeshtë: Pse duhej të krijohej gjithë kjo situatë? Pse duhej të arrihej deri te ky veprim, kur gjithçka mund të zgjidhej në mënyrën më të thjeshtë dhe institucionale, pa nxitur ndarje, pa diskriminuar dhe pa cenuar ndjenjat e asnjë qytetari?”, u shprehën përfaqësuesit e AKI-së.
Gjatë konferencës për shtyp, këshilltarët iu referuan dispozitave të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, duke argumentuar se vendosja e mbishkrimit në shqip nuk është çështje vullneti politik, por detyrim ligjor. Ata përmendën nenin 1, paragrafin 3, i cili përcakton përdorimin zyrtar të gjuhës që flitet nga të paktën 20 për qind e qytetarëve në njësitë e vetëqeverisjes lokale, si dhe nenin 16, që rregullon përdorimin e gjuhëve në emërtimet e rrugëve, shesheve, parqeve dhe objekteve të tjera infrastrukturore. Sipas AKI-së, institucionet përgjegjëse duhet të japin llogari për mosvendosjen e mbishkrimit në shqip që në fillim.
“Jemi të bindur se respektimi i gjuhës shqipe nuk i merr asgjë askujt. Përkundrazi, ai u jep të gjithëve atë që u takon dhe dëshmon se bashkëjetesa ndërtohet mbi barazinë, respektin dhe zbatimin e ligjit”, theksuan këshilltarët.
Ata insistuan se respektimi i gjuhës shqipe në hapësirat publike nuk duhet të trajtohet si çështje përplasjesh politike, por si pjesë e funksionimit të institucioneve në një shoqëri shumetnike.
Në konferencën për shtyp nuk munguan as kritikat e drejtpërdrejta ndaj drejtuesve të pushtetit lokal, përkatësisht kryetarit të Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, dhe kryetarit të Komunës së Butelit, Darko Kostovski. “Orce dhe Darko, kjo është tabela që duhej të ishte vendosur që në fillim! Kjo është tabela që respekton ligjin, barazinë dhe qytetarët. Jo ajo që ju e vendosët dhe e promovuat, duke anashkaluar gjuhën shqipe”, deklaruan përfaqësuesit e AKI-së. Ata u bënë thirrje dy kryetarëve që tabelën e re ta marrin si shembull për veprimet e ardhshme institucionale dhe të mos lejojnë përsëritjen e situatave të ngjashme.
“Merreni këtë tabelë si shembull për të gjitha veprimet tuaja të ardhshme, sepse respektimi i gjuhës shqipe është detyrim ligjor”, theksuan ata. Në fund, këshilltarët e AKI-së porositën se bashkëjetesa dhe respekti ndërmjet bashkësive nuk mund të ndërtohen vetëm përmes deklaratave politike, por kërkojnë veprime konkrete nga institucionet. “Respekti nuk dëshmohet me fjalë, por me vepra. Kështu dëshmohet respekti për bashkëjetesën, Darko! Është koha për reflektim dhe veprim!”.

