Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të qëndrojë në Manastir më 22 nëntor, me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, ndërsa gjatë vizitës parashikohet të zhvillojë takime me liderët e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Vizita dhe takimet do të nisin që nga kufiri i Qafë Thanës, ku do të promohet sistemi “hyrje-hyrje” në kudrin shqiptaro-maqedonas, ndërsa më pas, bashkë me zyrtarët e VLEN-it, do të niset për Manastir me rastin e 118-vjetorin e Kongresit të Manastirit, ngjarjes historike të vitit 1908 që vendosi themelet e alfabetit të përbashkët të gjuhës shqipe.

Përveç karakterit përkujtimor, vizita pritet të ketë edhe dimension politik, për shkak të takimeve të paralajmëruara me përfaqësuesit e partive shqiptare. Vizita e kryeministrit të Shqipërisë në këtë datë mbart simbolikë të veçantë për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe lidhjet kulturore ndërmjet shqiptarëve në rajon.

Në ndërkohë, kryeministri Rama do ta takojë edhe kryeministrin e Maqedonisë, Hristijan Mickoski, si dhe liderin e BDI-së, Ali Ahmeti. Edhe pse nuk është konfirmuar zyrtarisht, Takimet e ndara me Mickoskin dhe Ahmetin do të bëhen në qytetin e Ohrit. (koha.mk)

" "
sqShqip