Protestuesit kërkojnë hetim ndërkombëtar për rastin “Alfa”
Protestuesit kërkojnë hetim ndërkombëtar për rastin “Alfa”
Protestuesit të cilët sot kërkonin drejtësi për rastin “Alfa” dhe për tani më ish të ndjerin Rexhail Qerimi, arritën deri tek objekti i delegacionit të BE-së, ku lexuan edhe komunikatën e protestës.
Ata thonë se Rexhail Qerimi ka humbur jetën në rrethana të dyshimta në qelinë e burgut të Idrizovës.
“Në këtë shtet vazhdon diskriminimi i hapur dhe padrejtësisë ndaj shqiptarëve. Si mund të shpjegohet ndryshe ku numri i madh i shqiptarëve të dënuar padrejtësisht është tepër i lartë, edhe më i lartë është numri i të burgosurve që kanë përfunduar tragjikisht në qelitë e burgjeve”, tha njëri nga organizatorët e protestës, raporton SHENJA.
Ata shtojnë se sipas ekspertizës profesionale rasti “Alfa” është fund e krye rast i montuar.
“Protestat tona nuk do të përfundojnë kundër këtyre përndjekjeve dhe terrorit të hapur kundër shqiptarëve. Thirrjet tona në radhë të parë drejtohen institucioneve ndërkombëtare që të ndërmarrin masa për ndalimin e këtyre veprimeve të egra dhe barbare kundër shqiptarëve. Të ndërhyjnë te autoritetet e shtetit për sigurimin dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve për shqyrtimin dhe zgjidhjen e kërkesave të shqiptarëve”, u tha në komunikatën e organizatorëve.
Ata kërkojnë që të ketë rigjykim të lëndëve si “Alfa”, “Monstra”, dhe të gjykohen nga ndërkombëtarët. /SHENJA/