Avokati i popullit, pas rastit me nxënësen me sindromin Daun nga Gostivari e cila nuk është pranuar nga prindërit e nxënësve të klasës dhe mësimin e ka ndjekur në një hapësirë të veçantë, formon lëndë me nismë personale dhe dërgoi ekip në shkollë për ta hetuar rastin.
Siç citohet në kumtesën e Avokatit të popullit, rasti tregon papjekuri të madhe të shoqërisë, e cila as nga larg nuk është e gatshme në praktikë ta implementojë rregulloren vendore dhe ndërkombëtare në lidhje me gjithpërfshrjen e këtyre personave në jetën e përditshme.
Sipas avokatit të popullit, e palejueshme është këto nxënës të jenë viktimë e mosgatishmërisë së individëve t’i pranojnë dhe të njëjtëve t’u vështirësohet qasja në procesin arsimor, që me Kushtetutë dhe me ligj u është garantuar të gjithëve në mënyrë të barabartë, pa elemente të ç’farëdo lloj diskriminimi.
Në fakt, siç thuhet në deklaratë, gjatë viteve të fundit të gjithë faktorët e shoqërisë që merren me këtë çështje, përfshirë edhe institucionin e Avokatit të Popullit kanë dhënë një kontribut të madh në reformat në procesin arsimor, pikërisht në pjesën që ka të bëjë me përfshirjen e nxënësve, sepse dallimi nuk duhet të merret si dënim, siç është bërë në këtë rast.
Avokati i Popullit inkurajon prindërit që të mos heshtin për raste të tilla, por t’u drejtohen institucioneve, për të mbrojtur me kohë të drejtat e fëmijëve të tyre të garantuara me ligj. Ai mendon gjithashtu se është mirë që mediumet tregojnë ndjeshmëri dhe i publikojnë ngjarjet, por vë në dukje faktin se gjatë publikimit të këtyre historive duhet pasur kujdes maksimal për të mbrojtur interesat më të mira të fëmijës dhe për të shmangur shkrepjet apo fotografitë eksplicite të fëmijëve.