Përfaqësuesi i lartë i VLEN-it dhe kryetari i Zhelinës, Blerim Sejdiu, në emisionin “N’Dritë” në Alsat-M ka deklaruar se VLEN ka ngritur standardin e qeverisjes dhe po merret me realizimin e secilës pikë të programit, ndërsa ka kritikuar BDI-në për mosrealizimin e premtimeve të saj ndër vite.
Sipas Sejdiut, nëse analizohet programi i BDI-së nga viti 2002 deri në vitin 2024, asnjë nga pikat e parapara nuk është realizuar.
“VLEN ka ngritur standardin dhe merret me çdo pikë, por nëse e merr programin e BDI-së nga viti 2002 deri më 2024, asnjë nga ato pika nuk i kanë realizuar”, deklaroi Sejdiu.
Ai përmendi si shembuj projektet dhe temat që, sipas tij, BDI i ka hapur vazhdimisht në debatet publike, por pa i përfunduar.
“E hapën dhe e mbyllën temën me rrugën Shkup–Bllacë, i hapën dhe i mbyllën të gjitha debatet me UÇK-në apo me Korridorin 8, por asgjë nga ato”, u shpreh Sejdiu.
Duke folur për krijimin e një Banke shqiptare, Sejdiu tha se ky projekt nuk është hequr nga agjenda dhe se po punohet për realizimin e tij.
Ai bëri të ditur se janë duke zhvilluar bisedime me disa biznese të sektorit bankar, të cilat kanë shprehur interesim për të ardhur dhe për të investuar në Maqedoninë e Veriut.
“Nuk do të thotë se një bankë e tillë nuk do të realizohet. Jemi në bisedime që të vijnë disa biznese të sistemit bankar, të interesuara në Maqedoni në të ardhmen e afërt”, deklaroi Sejdiu.
Blerim Sejdiu: “Alta banka” është vepër e BDI-së, duhet të zbardhet se kush e solli Macurën në Maqedoni
Përfaqësuesi i lartë i VLEN-it, Blerim Sejdiu, ka folur për rastin e “Alta bankës” në emisionin “N’Dritë” në Alsat-M, duke ngritur pretendime për lidhjet e kompanive të afërta me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti me transaksionet e aksioneve dhe kreditimin nga kjo bankë.
Sejdiu deklaroi se qytetarët duhet të informohen për gjenezën e rastit, duke përmendur një kompani të afërt me Ali Ahmetin e cila, sipas tij kishte blerë aksione nga Sasho Mijallkovi përmes kompanisë së Davor Macurës.
Ai pretendoi se e njëjta kompani më pas kishte marrë kredi prej 5 milionë eurosh nga “Alta banka”.
“Duhet t’ua bëjmë qytetarëve të qartë se cila kompani e afërt me Ali Ahmetin ka blerë aksione nga dikush që quhet Sasho Mijallkov dhe ato aksione janë shitur përmes kësaj kompanie Davor Macurës. Këto janë me dokumentacion. Pastaj, nga ‘Alta banka’ kjo kompani e afërt me liderin e tyre merr 5 milionë euro kredi”, deklaroi Sejdiu.
Ai tha se VLEN-i e kishte ndaluar procesin në momentin kur, sipas tij, “kishte kuptuar se çfarë banke ishte “Alta banka” dhe cili ishte qëllimi i saj”.
Sejdiu theksoi se vëmendja duhet të përqendrohet te procedurat dhe personat që mundësuan ardhjen e Davor Macurës dhe “Alta bankës” në Maqedoninë e Veriut.
“Pra, tema është kjo: procedura duhet të kthehet te pyetja se kush e solli Macurën dhe ‘Alta bankën’ këtu në Maqedoni”, tha Sejdiu duke shtuar se faktet sipas tij, tregojnë se “Alta banka” është vepër e BDI-së.

