Këshilli Penal i Gjykatës Themelore Penale në Shkup ka marrë vendim që paraburgimi i biznesmenit nga Manastiri, Stojan Çifligaroski, i dyshuar në rastin “Zinxhiri”, të zëvendësohet me arrest shtëpiak.
Ky vendim është marrë pasi Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK) ka dhënë mendim pozitiv për propozimin e paraqitur nga mbrojtja e ÇifligaroskIt.
Prokuroria është deklaruar pozitivisht për këtë kërkesë me arsyetimin se procedura hetimore ndodhet në fazën përfundimtare, njofton Gjykata Penale në Shkup.
Përveç arrestit shtëpiak, ÇifligaroskIt i është caktuar edhe masa e kujdesit – konfiskimi i dy dokumenteve të vlefshme të udhëtimit.
Si arsye shtesë për zëvendësimin e paraburgimit me arrest shtëpiak janë përmendur gjendja shëndetësore dhe ajo familjare e të dyshuarit, të cilat janë mbështetur edhe me dokumentacion përkatës mjekësor.
Çifligaroski është pronar i kompanisë “SV Invest”, e cila në të kaluarën ka fituar tenderë të mëdhenj nga REK Bitola, ndërsa më vonë përfundoi në falimentim.
Në hetimin për rastin “Zinxhiri”, ai dyshohet se ka qenë njëri nga organizatorët e një grupi kriminal, që kishte për qëllim evazionin fiskal dhe pastrimin e parave.
Drejtorët e disa kompanive të tij janë dënuar pasi kanë pranuar fajësinë, ndërsa Çifligaroski për një periudhë të gjatë kohore ishte në arrati, sipas informacioneve jozyrtare në SHBA.
Kohët e fundit, ai u dorëzua vetë në pikën kufitare “Shën Naumi”, pas së cilës iu caktua masa e paraburgimit dhe u dërgua në Burgun Hetues “Shkup”, në Shutkë.

