Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se barazia dhe të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës nuk mund të jenë objekt negociatash, duke kërkuar nga institucionet serbe zgjidhjen e problemeve që vazhdojnë prej dekadash.

Nga foltorja e parlamentit serb, Kamberi ka theksuar se përfaqësuesit shqiptarë janë të gatshëm për dialog dhe bashkëpunim politik, por jo për të hequr dorë nga kërkesat për të drejta të barabarta.

Kamberi kërkon zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve

Në fjalimin e tij, deputeti shqiptar ka përmendur mungesën e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore, përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratën publike.

" "

Ai ka kërkuar gjithashtu zgjidhjen e çështjes së njohjes së diplomave universitare të marra në Kosovë, investime ekonomike në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, si dhe ndërprerjen e praktikës së pasivizimit të adresave të shqiptarëve.

Ndër problemet që kërkojnë zgjidhje, Kamberi ka përfshirë edhe arsimin në gjuhën shqipe, sigurimin e teksteve shkollore, respektimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe çështjen e fondeve të Këshillit Kombëtar Shqiptar nga Kosova.

Sipas tij, për zgjidhjen e këtyre problemeve ekzistojnë dokumente dhe zotime institucionale, përfshirë Planin Shtatëpikësh dhe Planin e Veprimit të vitit 2022, por ka munguar vullneti politik për zbatimin e tyre.

“Për vetë të drejtën e barazisë nuk mund të negociojmë”

Kamberi ka kritikuar edhe mënyrën se si institucionet serbe i kanë trajtuar shqiptarët ndër vite, duke thënë se ata shpesh janë parë përmes paragjykimeve dhe dyshimeve politike.

“Shumë shpesh janë trajtuar si të padëshiruar, si një problem që duhet kontrolluar, madje edhe si një lloj ‘armiku i përhershëm’”, ka deklaruar Kamberi.

Ai ka theksuar se bashkëpunimi me shumicën parlamentare mund të zhvillohet për çështje që lidhen me demokratizimin e Serbisë dhe integrimin e saj evropian, por qëndrimi i përfaqësuesve shqiptarë do të varet nga veprimet konkrete të institucioneve.

“Për mënyrën, dinamikën dhe mekanizmat institucionalë të zgjidhjes së problemeve mund të bisedojmë. Por për vetë të drejtën e barazisë nuk mund të negociojmë”, është shprehur ai.

Kamberi ka nënvizuar se angazhimi i përfaqësuesve shqiptarë në Kuvendin e Serbisë nuk ka për qëllim sigurimin e posteve qeveritare, por mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

sqShqip