Zjarri shkrumboi tri shtëpi në Gazi Babë afër xhamisë Tutunsuz
Një zjarr ka djegur tre shtëpi në Gazi Babë të Shkupit, afër xhamisë Tutunsuz, shkruan Alsat.
Nuk ka viktima, por tre familje mbetën pa kulm mbi kokë. Zjarri me gjasë ka filluar nga oxhaku i njërës prej shtëpive ku ka qenë i lidhur një shporet me dru. Banorët dëshmojnë se janë nxjerrë sende për t’u shpëtuar nga flakët.
“Vetëm kur arritëm këtu më thanë se shtëpia e djalit të xhaxhait tim ishte kapluar nga flakët. Erdha këtu, maqedonasin e kanë kapur nga pas dhe e kanë parë duke dalë me televizor duke ikur”, tha një qytetar.
“I kemi nxjerrë fëmijët jashtë dhe kaq. Erdhën edhe zjarrfikësit. Kjo është gjëja më e rëndësishme, nuk ka lëndime. Zjarri ishte shumë i madh. Zjarrfikësit arritën shumë shpejt”, tha një tjetër qytetar.
Zjarrfikësit e shuan zjarrin për rreth dy orë.
“Në orën 15:30 është raportua se ka rënë zjarr në çatinë e tre shtëpive në rrugën “Ordan Çopela”. Është intervenuar me pesë makina dhe 15 zjarrfikës. Është djegur sipërfaqe prej 200 metrash katrorë. Zjarri është lokalizuar shpejtë dhe fatmirësisht nuk ka persona të lënduar”, thanë nga Qyteti i Shkupit./Alsat.mk