Burgim i përjetshëm për 47-vjeçarin nga Kosova që vrau bashkëshorten në Austri
Një 47-vjeçar nga Kosova është dënuar me burgim të përjetshëm në Austri, pasi u shpall fajtor për vrasjen e bashkëshortes së tij 38-vjeçare. Gjykata Rajonale e Wiener Neustadt ka urdhëruar gjithashtu dërgimin e tij në një institucion të sigurt psikiatrik-mjekësor, ndërsa katër fëmijëve të çiftit u janë ndarë nga 75 mijë euro kompensim secilit.
Vendimi u shpall të martën, pas procesit gjyqësor për vrasjen që kishte ndodhur më 5 prill të këtij viti, të dielën e Pashkëve, në Sooß të distriktit të Badenit.
Një 45-vjeçar tjetër, i akuzuar si bashkëpunëtor në këtë vepër, u lirua nga akuzat. Megjithatë, vendimi ndaj 47-vjeçarit nuk është ende i formës së prerë, pasi ai ka paraqitur kërkesë për pavlefshmëri dhe apel, shkruan Der Standard.
Sipas prokurorisë, gruaja ishte ndarë nga bashkëshorti në vitin 2019, pas rasteve të dhunës. Pas ndarjes, ajo ishte përpjekur të mbronte veten dhe katër fëmijët e tyre përmes urdhrave mbrojtës dhe ndalimit të kontaktit.
Më 5 prill, 47-vjeçari kishte shkuar në shtëpinë në Sooß, ku 38-vjeçarja jetonte me katër fëmijët e saj, të moshës nga nëntë deri në 18 vjeç.

