Ish presidenti amerikan, Bill Klinton, ka tejkaluar problemet shëndetësore. Pasi ka lëshuar smitzlin, ai ka marë pjesë në pritje për ngushëllime te familja Osmani, në nderim të Osman Osmanit në Nju-Jork.
Më 15 nëntor, në Royal Regency Hotel, në Yonkers të Nju-Jorkut, familja Osmani organizoi pritjen për ngushëllime me rastin e ndarjes nga jeta të prindit, vëllait dhe familjarit të tyre, Osman Osmani, i cili ndërroi jetë më 18 tetor në Prishtinë.
Që nga orët e para të mëngjesit, pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, miq dhe bashkëpunëtorë të të ndjerit, në grupe të shumta, pritën në radhë për t’i shprehur ngushëllimet familjes Osmani. Pjesëmarrja ishte masive dhe dëshmoi respektin e madh që gëzonte Osmani në mesin e bashkatdhetarëve.
Ndër personalitetet e shumta që morën pjesë për t’i shprehur ngushëllime familjes Osmani ishte edhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, me të cilin i ndjeri Osman Osmani kishte ndërtuar një miqësi të ngushtë dhe një marrëdhënie të veçantë respekti të ndërsjellë.
Osman Osmani do të kujtohet si një veprimtar i përkushtuar, si një atdhetar i shquar, njëri ndër themeluesit e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe një lobist, mik i shumë personaliteteve, filantrop dhe ndërmarrës i shquar, i cili la gjurmë të çmuara në jetën e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe në përpjekjet për çështjen e Kosovës.

