Maqedoni

Sali dhe Filipçe bënë pranim dorëzimin e postit në Ministrinë e Shëndetësisë

Jam shumë i vetëdijshëm për përgjegjësinë e madhe që e kam si ministër i Shëndetësisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, veçmas në periudhën në të cilën ballafaqohemi me sfidën më të madhe – pandeminë dhe pasojat e saj.

Në të vërtetë, sfidat në shëndetësi kanë ekzistuar çdoherë dhe unë si ministër premtoj se do të angazhohem me shumë përkushtim që ta bëj sa më të padallueshme shëndetësinë siç është me shëndetësinë siç duam ta kemi.

Do të vazhdoj aty ku e kanë lënë paraardhësit e mi, duke e vlerësuar punën e tyre, por edhe duke e detektuar atë që duhet të adresohet tash e tutje. Unë do të bëj gjithçka që është në fuqinë dhe në kompetencën time që sistemi shëndetësor të jetë më pak i lëndueshëm dhe gjithnjë e më shumë i qëndrueshëm ndaj sfidave me të cilat ballafaqohemi sot dhe me të cilat do të ballafaqohemi në të ardhmen.

Krijimi i një sistemi shëndetësor të fuqishëm për mua nënkupton definim të mirë dhe gjithëpërfshirës të problemeve dhe parregullsive sistemore dhe qasje të koordinuar dhe në kohë të zgjidhjes së tyre.

Prioritet i punës sime si ministër do të jetë para së gjithash preventiva dhe qasja e barabartë në shërbime shëndetësore, si dhe rritja e fuqizimi i kapaciteteve në sistemin shëndetësor dhe udhëheqja e mirë, por edhe koordinimi dhe konsistenca në avancimin dhe zbatimin e politikave të punës së vlefshme. Përveç kësaj, pa asnjë kompromis do të angazhohem në përmirësimin e statusit dhe kushteve në të cilat funksionojnë punëtorët shëndetësorë dhe personeli mjekësor.

Në krejt këtë me rëndësi është koordinimi dhe bashkëpunimi në të gjitha nivelet dhe me të gjithë aktorët relevantë. Duke punuar bashkërisht, ne do t’i ndihmojmë edhe vetes, por edhe qytetarëve. Në asnjë moment nuk guxojmë të harrojmë se pas secilës statistikë gjenden qytetarët, të cilët janë të prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ajo që ndodhë në shëndetësi.

Punën time do ta kryej me transparencë e përgjegjësi maksimale, si dhe me qasje të hapur në komunikimin me opinionin, para së gjithash me ju, përfaqësuesit e mediave, që keni rol të madh në informimin e drejtë, në kohë dhe të matur të qytetarëve.