Maqedoni

Tetovë, rritet interesimi për dozën e tretë të vaksinës antiCOVID

Bashkim Sulejmani

Shënon rritje interesimi për marrjen e vaksinës së tretë në qytetin e Tetovës, por jo edhe për marrjen e dozës së parë. Javën e fundit, numri i personave të interesuar për tu vaksinuar me dozën e tretë është dyfishuar, ndërsa mbetet i ulët numri atyre që paraqiten për marrjen e dozës së parë, thonë mjekët në pikat e vaksinimit në Tetovë, shkruan Alsat.

“Kjo rritje e interesimit të qytetarëve për tu vaksinuar është si pasojë e pushimeve të cilën kohë nuk arrinin të vinë të vaksinohen, por dukshëm është rritur interesimi i qytetarëve edhe për marrje të dozës së tretë. Pra mbi 70 për qind e qytetarëve që vijnë të vaksinohen janë qytetarë që vijnë për dozën e tretë. Për dozën e parë për fat të keq vazhdon ai intensitet i ulët, sidomos tek grupmosha nën 30 vjeç është shumë i ulët”- deklaroi Besnik Mustafai. Mjek në pikën për vaksinim.

Deri më tani, në qytetin e Tetovës pa komunat rurale, vaksinimi ka kaluar 50 për qindëshin e popullatës, thotë drejtori i Shtëpisë së Shëndetit.

“Në prill mbushet tashmë një vit që kur filloi procesi i vaksinimit në vendin tonë dhe në Tetovë. Numrat e të vaksinuarve janë rreth 55 për qind në qytetin e Tetovës pa komunat rurale. Kjo është përqindje e lartë bazuar në përqindjen që kemi në nivel shteti, por megjithatë, nëse do rritej edhe pak ky numër do ishim më të sigurt. Megjithatë jam i kënaqur nga kjo përqindje në komunën tonë”- pohoi Borisllav Jorgaqieski, Drejtor i Shtëpisë së Shëndetit.

Sa i përket situatës me virusin korona në qytetin e Tetovës, situatë paraqitet e qetë. Në spital për momentin ka të shtrirë vetëm dy persona, ndërsa dy të tjerë janë pranuar gjatë 24 orëshit të fundit, kundrejt kontrolleve ambulatore që në ditë janë rreth 30. Në Tetovë, deri më tani, sipas mjekëve të spitalit klinik të Tetovës, nuk ka të prekur me virusin korona të llojit Omicron.