Shkup, 9 nëntor – Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arjanit Hoxha, ka akuzuar drejtuesit e Institutit të Shëndetit Publik për shkelje të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, duke pretenduar se drejtoresha e këtij institucioni, Marija Andonovska, ka urdhëruar që komunikimi zyrtar të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase, ndërsa dokumentet dygjuhëshe të mos pranohen më. Në një konferencë për media, Hoxha deklaroi se mosrespektimi i gjuhës shqipe po shndërrohet në një praktikë shqetësuese në institucionet shtetërore, ku, sipas tij, drejtues të caktuar po marrin kompetenca që nuk u takojnë, duke vendosur sipas vullnetit personal për zbatimin e ligjit.
Sipas informacioneve që BDI pretendon se i ka siguruar nga burime brenda Institutit të Shëndetit Publik, drejtuesit e sektorëve janë udhëzuar t’i njoftojnë punonjësit përmes mesazheve telefonike se dokumentet dygjuhëshe nuk do të pranohen dhe se të vlefshme do të konsiderohen vetëm dokumentet e përgatitura në gjuhën maqedonase.
“Me çfarë të drejte një drejtoreshë e një institucioni shtetëror merr guximin të shpallë të pavlefshme dokumentet që përmbajnë gjuhën shqipe? Kush ia ka dhënë kompetencën të vendoset mbi ligjin?”, pyeti Hoxha. Kritika të ashpra nënkryetari i BDI-së drejtoi edhe ndaj përfaqësuesve të koalicionit VLEN në Qeveri, të cilët i akuzoi për heshtje dhe mungesë reagimi përballë rasteve të pretenduara të mosrespektimit të gjuhës shqipe. Sipas Hoxhës, përfaqësuesit shqiptarë në pushtet jo vetëm që nuk po arrijnë të garantojnë zbatimin e ligjit, por me mosveprimin e tyre po krijojnë hapësirë që drejtuesit e institucioneve të vazhdojnë me praktika të ngjashme.
“Çfarë kuptimi ka pjesëmarrja e tyre në Qeveri nëse nuk janë në gjendje të mbrojnë as respektimin e një ligji që tashmë është në fuqi? Heshtja e tyre nuk është më vetëm paaftësi politike, por po shndërrohet në inkurajim për të gjithë ata funksionarë që marrin guximin të shkelin ligjin”, deklaroi Hoxha, ndërsa thotë se VLEN-i ka në dispozicion mekanizma juridikë dhe institucionalë për të kërkuar respektimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, por, sipas tij, ka zgjedhur indiferencën politike.
Hoxha e ndërlidhi rastin e Institutit të Shëndetit Publik edhe me raportin e fundit të Këshillit të Evropës, për të cilin tha se ka evidentuar probleme në respektimin e të drejtave gjuhësore në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, në vend që vërejtjet ndërkombëtare të shërbenin si alarm për institucionet shtetërore, po ndodh e kundërta, pasi funksionarë të caktuar vazhdojnë të veprojnë sikur qëndrojnë mbi ligjin. Ai kërkoi nga Qeveria që të shqyrtojë veprimet e drejtuesve të institucioneve dhe të ndërmarrë masa konkrete ndaj çdo funksionari për të cilin konstatohet shkelje e legjislacionit në fuqi.
Në konferencën për media, Hoxha kërkoi ndërhyrje të menjëhershme të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, duke e kritikuar ashpër këtë institucion për mungesë veprimi. “Është koha që Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve të dalë nga strofulla e turpit dhe të fillojë të kryejë detyrën për të cilën është themeluar!”, u shpreh nënkryetari i BDI-së. Ai kërkoi që Inspektorati të realizojë mbikëqyrje në Institutin e Shëndetit Publik dhe të ndërmarrë masat përkatëse ligjore ndaj përgjegjësve, nëse konstatohen shkelje, pavarësisht funksionit apo përkatësisë së tyre politike.
Në fund, Hoxha porositi se respektimi i gjuhës shqipe në institucionet shtetërore nuk mund të jetë çështje e vullnetit të drejtuesve dhe as pjesë e marrëveshjeve politike ndërmjet partnerëve qeveritarë. “Ligji për Përdorimin e Gjuhëve nuk është çështje dëshire dhe as objekt pazari politik. Ai është detyrim që duhet të respektohet nga të gjithë. Askush nuk ka mandat të vendoset mbi ligjin dhe askush nuk ka të drejtë ta shpallë të pavlefshme gjuhën shqipe në institucionet e këtij shteti”, përfundoi Hoxha. (koha.mk)

