VMRO-DPMNE-ja akuzoi LSDM-në se po e shfrytëzon rastin e “Alta Bankës” për përfitime politike dhe për të krijuar pasiguri te qytetarët. Në reagimin e saj, partia në pushtet thekson se vendimet për sistemin bankar janë në kompetencë të Bankës Popullore dhe guvernatorit, ndërsa institucionet përgjegjëse po punojnë për zgjidhjen e çështjes.
Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se opozita duhet ta respektojë ndarjen e pushteteve dhe kompetencat institucionale. Sipas partisë, deklaratat e LSDM-së për mundësinë e përhapjes së problemit në banka të tjera krijojnë perceptim të shtrembëruar për situatën. “Alta Banka është një problem i importuar dhe LSDM-ja nuk mund të japë deklarata të tilla pa bazë. Nga institucionet kompetente ka komunikim transparent dhe po punohet për një zgjidhje, ndërsa guvernatori ka porositur se qytetarët nuk do të dëmtohen”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Partia akuzon përfaqësues të LSDM-së se në paraqitjet televizive po përhapin panik dhe po shtrembërojnë deklaratat për këtë çështje. Në kumtesë bëhet edhe krahasim me rastin e “Eurostandard Bankës”, ndërsa ish-kryeministri Zoran Zaev akuzohet për praktikë të ndërhyrjes në kompetencat institucionale.
Sipas VMRO-DPMNE-së, opozita po përdor çështje me interes publik për të krijuar ndjenjë paqëndrueshmërie përmes pretendimeve që partia i cilëson si të pabazuara. “I bëjmë thirrje LSDM-së t’i ndërpresë përpjekjet për përfitime politike. Ka institucione kompetente që po punojnë për zgjidhje, ndërsa qytetarët nuk kanë nevojë për destruktivitetin e LSDM-së”, thuhet në fund të reagimit.

