Maqedoni

Kovaçevski: Të hapim një faqe të re me Sofjen

Pak para vizitës së kryeministrit bullgar Kirill Petkov në Shkup, në Sofje nesër presidenti Rumen Radev mbledh Këshillin e sigurisë për të diskutuar për Integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe rolin e Bullgarisë për integrimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, shkruan Alsat.

Pas disa ditëve heshtje për vizitën e Petkovit, në intervistë për MIA-n, është deklaruar edhe mandatari Dimitar Kovaçevski. Petkovi do të vijë në vend, me gjasë, vetëm në ditë pasi Kovaçevski të ketë marrë detyrën e kryeministrit. Për Kovaçevskin formimi i qeverive të reja në Sofje dhe në Shkup është një mundësi dhe shpresë për bisedimet.

“Afrimi dhe bashkëpunimi mes dy vendeve në të gjitha fushat e jetës është parakusht i rëndësishëm për largimin e dyshimeve dhe perceptimeve të gabuara. Unë jam i gatshëm që të hapim një faqe të re në raportet me Bullgarinë dhe të ndërtojmë miqësi të sinqertë dhe të ardhshme më të mirë për të dy vendet. Duhet të qetësohet zëri i urrejtjes. Kemi sinqerisht me shumë të përbashkëta se sa dallime si shtete dhe duhet të përqendrohemi te interesi i përbashkët”, tha Dimitar Kovaçevski, mandatar për kryeministër.

Kovaçevski shton se ajo nga e cila nuk do të heqin dorë gjatë negociatave është e drejta e vetëpërcaktimit dhe identiteti dhe gjuha e veçantë.

Me synime pozitive vjen edhe Petkovi më 18 janar. Ai ka deklaruar se Sofja nuk ka ndryshuar pozitën e saj ndaj Maqedonisë së Veriut por do ta mbindërtojë atë me më shumë bashkëpunim mes dy vendeve. Do të formohen pesë grupe pune të cilat do të negociojnë në fushat përkatëse infrastrukturë, ekonomi, kulturë, eurointegrime dhe histori, për të paktën gjashtë muajt e ardhshëm. /Alsat.mk