Një ndryshim që bie në sy në Raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut të publikuar sot është mungesa e përmendjes së shprehur të konceptit “Bota serbe”. Sipas krahasimit me raportet paraprake, kjo ndodh për herë të parë që nga viti 2023.
Për vite me radhë, koncepti “Bota serbe” është përmendur në debatet politike në Maqedoninë e Veriut, ku BDI-ja dhe qeverisja e kaluar shpesh janë vënë në qendër të kritikave dhe akuzave për afërsi politike me qarqe që promovojnë këtë koncept.
Tashmë, në raportin e publikuar gjatë qeverisjes VLEN-VMRO-DPMNE, ky formulim nuk figuron, ndërsa vëmendje marrin zhvillimet në agjendën reformuese të vendit.
Komisioni Evropian, evidenton madje progres në zbatimin e Agjendës së reformave, përparim në fushën e drejtësisë dhe hapa në procesin e rregullimit të përfaqësimit të drejtë.
Kontrasti politik është i qartë: një periudhë e re qeverisjeje, një agjendë e orientuar drejt reformave dhe një raport i ri evropian që evidenton zhvillime të rëndësishme në rrugën drejt BE-së.
KE-ja vlerëson Ligjin për përfaqësim të drejtë si garancë për të drejtat e shqiptarëve
Komisioni Evropian në Raportin për Maqedoninë e Veriut për vitin 2026 e trajton edhe Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat duke e vendosur këtë çështje në agjendën e reformave dhe të garantimit të të drejtave të komuniteteve.
Pas shumë vitesh pritjeje dhe mungesë zgjidhjeje ligjore, çështja po ndërmerr hapa konkret, ndërsa përbën një përpjekje për ta kthyer përfaqësimin e drejtë nga premtim politik në garanci ligjore dhe institucionale.
Ndërkohë, që kjo çështje po trajtohet edhe në raportin e Komisionit Evropian, BDI po kundërshton dhe po bllokon procesin e miratimit të ligjit. Kjo ngre pikëpyetje për qëndrimin e saj ndaj një zgjidhjeje që synon të garantojë përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve dhe të komuniteteve të tjera në institucionet shtetërore.
Çështja ka vënë në lëvizje procesin për një garanci ligjore të përfaqësimit të drejtë, ndërsa mbetet që ligji në fjalë të marrë mbështetjen e nevojshme për miratim.
Komisioni Evropian: Maqedonia e Veriut përparon dukshëm me reformat, ndër liderët në rajon
Maqedonia e Veriut ka shënuar progres të ndjeshëm në zbatimin e reformave, sipas vlerësimit të Komisionit Evropian. Në raport thuhet se vendi ka bërë përparim të rëndësishëm në realizimin e reformave të parashikuara me Agjendën e Reformave, çka e radhit ndër vendet me performancën më të mirë në kuadër të Instrumentit të Reformave dhe Rritjes.
Në raport theksohet se Maqedonia e Veriut ka vazhduar punën për përmbushjen e kritereve hapëse për grupin e çështjeve themelore, përfshirë miratimin e hartës rrugore për reformën e administratës publike dhe vazhdimin e punës për hartën rrugore për shtetin e së drejtës, së bashku me planin e veprimit për pakicat.
Sipas Komisionit, intensifikimi i përpjekjeve për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe për përmbushjen e kritereve hapëse mbetet thelbësor për ecjen përpara të procesit të anëtarësimit.

