Dy shkolla të reja do të ndërtohen paralelisht në Draçevë dhe Gjorçe Petrov, ku një pjesë e nxënësve të shkollave të mesme ende mësojnë në baraka, njoftoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, mbrëmjen e sotme në emisionin „Direktno – Një vit më pas“ në TV Telma.
Mjetet për ndërtimin e tyre do të parashikohen në ribalancin e ardhshëm të buxhetit të qytetit,transmeton portali Lideri.mk. Kryetari theksoi se në Gjorçe Petrov, për fat të keq, nxënësit e shkollave të mesme edhe sot e kësaj dite zhvillojnë mësimin në baraka.
„Ja, po e bëj publike ekskluzivisht: dy shkolla të reja, ndërtimin e të cilave do ta fillojmë paralelisht. Bëhet fjalë për një shkollë të re në vendin e shkollës veterinare dhe gjimnazit në Draçevë, si dhe shkollën në Gjorçe Petrov, ku, për fat të keq, në shekullin XXI nxënësit tanë të shkollave të mesme ende mësojnë në baraka“, deklaroi Gjorgjievski.
Kryetari shpjegoi se ribalancet e buxhetit bëhen me qëllim që mjetet e kursyera nga procedurat e tenderimit dhe projektet të ridestinohen për investime të reja.
„Ribalancin e buxhetit e bëjmë gjithmonë kur na mbeten mjete. Ndodh që të kemi kursime nga procedura të caktuara, projekte e të tjera, dhe ato mjete i parashikojmë për projekte të reja, të cilat përputhen me gjithçka që u kam premtuar qytetarëve gjatë fushatës zgjedhore“, deklaroi ai.
### Nga Limak-u, para për ndërtimin e urës së re
Çmimi i tenderit për fazën e dytë të bulevardit nëntokësor „Maqedonia“, i njohur si projekti „Limak“, është ulur nga 1,1 miliardë në 750 milionë denarë.
Sipas Gjorgjievskit, diferenca prej 350 milionë denarësh është ridestinuar për nisjen e procedurës për ndërtimin e një ure të re dhe një rrethrrotullimi në hyrje të Shkupit, nga ana e Sarajit.
„Pjesën e mbetur të mjeteve e kemi rialokuar dhe për këtë u bë edhe ribalanci, në mënyrë që të fillojmë procedurën për ndërtimin e një rrethrrotullimi të ri në hyrje të Shkupit, nga ana e Sarajit, si dhe një ure të re. Është një projekt që është premtuar për rreth 30 vjet në kryeqytet“, tha kryetari.
Ai paralajmëroi se bulevardi nëntokësor do të përfundojë plotësisht deri në fund të mandatit të tij, megjithëse gjatë fushatës zgjedhore kishte premtuar realizimin vetëm të fazës së parë, përkatësisht hyrjen nga Kisella Voda drejt tuneleve të planifikuara.
„Limak-u, apo bulevardi nëntokësor ‘Maqedonia’, është i njohur për opinionin publik. Gjatë fushatës pata premtuar se do ta realizoja vetëm fazën e parë, që nënkupton hyrjen nga Kisella Voda drejt tuneleve të planifikuara, por deri në fund të mandatit do ta realizojmë tërësisht. Ky është një projekt serioz“, deklaroi Gjorgjievski.
### Arkëtim më i madh, më shumë investime kapitale
Kryetari u ndal edhe te gjendja financiare e Qytetit të Shkupit.
„Ne tashmë si qytet jemi konsoliduar financiarisht. Këtë vit arkëtimi është rritur për 18 për qind. Mendoj se jemi stabilë dhe do të mund t’u përgjigjemi të gjitha sfidave gjatë tre viteve të ardhshme, ashtu siç kemi planifikuar“, tha Gjorgjievski.
Realizimi i investimeve kapitale deri në fund të tremujorit të tretë arrin në 1,1 miliardë denarë, sipas të dhënave të prezantuara nga kryetari, transmeton portali Lideri.mk.
Ai bëri edhe një krahasim me administratat e mëparshme të qytetit.
„Deri në fund të tremujorit të tretë, realizimi arrin në 1,1 miliardë denarë, që është 50 për qind më shumë se në vitin e parë të Petre Shilegovit dhe 40 për qind më shumë se gjatë kohës së Danella Arsovskës“, deklaroi Gjorgjievski.
Sipas pritjeve të tij, deri në fund të vitit investimet kapitale do të arrijnë në rreth 2 miliardë denarë, që përbën më shumë se një të tretën e buxhetit të Qytetit të Shkupit./Lideri

