Deputetja e VLEN-it, Saranda Imeri Stafai, ka kritikuar ish-ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani, për publikimin e të dhënave mbi investimet serbe në Maqedoninë e Veriut, duke e akuzuar atë për promovimin e politikës së Open Ballkanit.
Në një video paraqitje, Imeri Stafai ka prezantuar të dhënat për investimet e huaja gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, sipas të cilave Kosova ka investuar 2.4 milionë euro, ndërsa Shqipëria 5.14 milionë euro. Në të njëjtën periudhë, investimet nga Serbia kanë arritur në 2.1 milionë euro.
Sipas këtyre shifrave, investimet e përbashkëta nga Kosova dhe Shqipëria kapin vlerën prej 7.54 milionë eurosh, rreth 3.5 herë më shumë se investimet serbe.
Imeri Stafai ka rikujtuar edhe hyrjen e bankës serbe Alta Banka në tregun e Maqedonisë së Veriut gjatë vitit 2025, duke e lidhur këtë zhvillim me personat e afërt të BDI-së.
“Pra, Shqipëria dhe Kosova kanë investuar rreth 3.5 herë më shumë sesa Serbia në gjashtëmujorin e parë të këtij viti”, ka deklaruar deputetja e VLEN-it.
Ajo ka theksuar se kjo qasje dallon nga politika e Bujar Osmanit dhe përkrahësve të Open Ballkanit, duke e cilësuar orientimin drejt investimeve nga Kosova dhe Shqipëria si pjesë të politikës që ndjek VLEN-i.

