Ministria e Transformimit Digjital njofton se ministri Stefan Andonovski ka lëshuar urdhër për Agjencinë për Komunikime Elektronike (AKE) për bllokimin e 104 faqeve të internetit, përmes të cilave organizohen në mënyrë të paligjshme lojëra fati online, transmeton portali Lideri.mk.

“Me këtë, numri i përgjithshëm i faqeve të përfshira në urdhrat e deritanishëm për bllokim arrin në 462. Në këtë mënyrë vazhdojnë aktivitetet për parandalimin e organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit përmes internetit dhe kufizimin e qasjes në platformat që veprojnë në kundërshtim me dispozitat ligjore në vend.

Këto masa synojnë mbrojtjen e qytetarëve në hapësirën e internetit, përfshirë edhe nga rreziqet që lidhen me ndarjen e të dhënave personale dhe financiare në platformat e paligjshme të lojërave të fatit. Theks i veçantë i kushtohet mbrojtjes së të miturve dhe parandalimit të ekspozimit të tyre ndaj lojërave të fatit online”, njoftoi Ministria e Transformimit Digjital.

Sipas Ministrisë, në përputhje me urdhrin e dorëzuar, AKE-ja është e obliguar që brenda pesë ditëve nga marrja e tij t’ua përcjellë atë operatorëve të rrjeteve të komunikimeve elektronike, transmeton portali Lideri.mk.

" "

Operatorët duhet të veprojnë menjëherë sipas urdhrit dhe të kufizojnë qasjen në faqet e internetit të përmendura, duke shfaqur një njoftim përkatës për arsyen e bllokimit.

“U bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të mos ndajnë të dhëna personale dhe financiare në faqe interneti të paverifikuara. Gjithashtu, i ftojmë prindërit dhe kujdestarët që t’u kushtojnë më shumë vëmendje aktiviteteve online të fëmijëve dhe të bisedojnë me ta për rreziqet në hapësirën e internetit.

Ministria e Transformimit Digjital do të vazhdojë të ndërmarrë masa në kuadër të kompetencave të saj për të luftuar organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit online dhe për të krijuar një hapësirë më të sigurt të internetit për qytetarët”, thuhet në komunikatën e Ministrisë./Lideri

sqShqip