KSHZ publikon rezultatet zyrtare në Bërvenicë: Arkin Jahiji fiton me 265 vota diferencë kundrejt kandidatit të VMRO-DPMNE-së!
Ndryshimi i fundit 22:02 1 Nëntor, 2026
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka publikuar rezultatet nga të gjitha vendvotimet në Komunën e Bërvenicës, ku janë përpunuar 100 për qind e votave, përkatësisht 24 nga 24 vendvotime.
Sipas rezultateve të KSHZ-së, kandidati i AKI-së, Arkin Jahiji, ka fituar 4.442 vota, apo 50,36 për qind të votave të vlefshme, njofton TS
Ndërkaq, kandidati i VMRO-DPMNE-së, Stojanço Radiçevski, ka marrë 4.177 vota, apo 47,36 për qind.
Jahiji ka siguruar epërsi prej 265 votash ndaj kundërkandidatit të tij.
Sipas të dhënave të KSHZ-së, në listën zgjedhore kanë qenë të regjistruar 16.256 votues, ndërsa kanë votuar gjithsej 8.820 qytetarë, me dalje prej 54,29 për qind.
Në këto zgjedhje janë regjistruar edhe 201 fletëvotime të pavlefshme.
Me përpunimin e 100 për qind të vendvotimeve, rezultatet e KSHZ-së e nxjerrin Arkin Jahijin në krye të garës për Komunën e Bërvenicës.

