Gjykata Supreme i ka anuluar aktgjykimet me të cilat ish-drejtorët e Spitalit Klinik të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi, ishin dënuar për rastin e zjarrit në spitalin modular, ku humbën jetën 14 pacientë dhe 12 të tjerë u lënduan. Lënda është kthyer në Gjykatën Themelore të Tetovës për rigjykim dhe vendimmarrje të re.
Vendimi është marrë më 22 tetor 2026, pasi Këshilli për Çështje Penale pranë Gjykatës Supreme i ka pranuar kërkesat e të dënuarve për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit të formës së prerë, të paraqitura përmes mbrojtësve të tyre, transmeton portali Lideri.mk.
„Këshilli për Çështje Penale pranë Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në seancën e mbajtur më 22.10.2026, ka marrë aktgjykim në lëndën KVP2-36/26, e njohur në opinion si rasti i spitalit modular në Tetovë. Me këtë vendim, i ka pranuar kërkesat për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit të formës së prerë të të dënuarve, të paraqitura përmes mbrojtësve të tyre.
Gjykata Supreme i ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Tetovës K-512/24, të datës 16.05.2025, si dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit në Gostivar KЖ-211/25, të datës 26.11.2025, ndërsa lëndën e ka kthyer në gjykatën e shkallës së parë për procedurë dhe vendimmarrje të përsëritur“, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.
Në të njëjtin njoftim, Gjykata bëri të ditur se kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit të formës së prerë, e paraqitur nga personi juridik i akuzuar, Institucioni Shëndetësor Publik – Spitali Klinik i Tetovës, është hedhur poshtë si e palejueshme.
Ky nuk është rasti i parë që lënda kthehet në rigjykim. Në dhjetor të vitit 2025, Gjykata e Apelit në Gostivar kishte marrë vendim për rritjen e dënimeve ndaj ish-drejtorëve.
Dënimet me burg për Florin Besimin dhe Artan Etemin ishin rritur nga një vit e gjashtë muaj në tre vjet burgim, ndërsa gjoba ndaj Spitalit Klinik të Tetovës ishte rritur nga një milion në 1.3 milionë denarë.
Zjarri në spitalin modular në Tetovë shpërtheu më 8 shtator 2021. Në këtë tragjedi humbën jetën 14 persona, ndërsa 12 pacientë u lënduan. Të gjitha viktimat ishin pacientë që po trajtoheshin nga COVID-19.
Paralelisht me procesin gjyqësor për zjarrin, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, më 20 gusht 2026, e mbylli edhe procedurën parahetimore, e cila kishte zgjatur gati pesë vjet, lidhur me furnizimin dhe ndërtimin e 19 spitaleve modulare në vend.
Në atë kohë, Prokuroria kishte vlerësuar se nuk kishte prova për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar, apo për ndonjë vepër tjetër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare./Lideri

