Sektori për Krime Kompjuterike dhe Forenzikë Digjitale, drejtuar Prokurorisë Themelore Publike në Manastir, ka paraqitur kallëzim penal kundër M.K. (56) nga Manastiri dhe A.S. (38) nga Estonia, mbi dyshime të bazuara për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”, sipas nenit 247 të Kodit Penal.

Siç informon MPB, në periudhën nga dhjetori i vitit 2025 deri në prill të vitit 2026, përmes një aplikacioni mobil, në një kanal me disa qindra abonentë, duke premtuar fitime të supozuara të cilat nuk janë realizuar kurrë, kanë nxitur një numër të madh qytetarësh nga i gjithë vendi që të investojnë mjete financiare në një platformë të rreme interneti dhe në këtë mënyrë i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare.

Deri te Sektori për Krime Kompjuterike dhe Forenzikë Digjitale janë dorëzuar pesë denoncime nga qytetarë të dëmtuar, të cilët gjatë periudhës së përmendur kanë qenë viktima të mashtrimit. Megjithatë, sipas të dhënave nga raportet financiare të llogarisë së transaksioneve të personit të parë të denoncuar, rezulton se nga kjo skemë mashtruese janë dëmtuar qindra qytetarë të vendit, shumica e të cilëve nuk e kanë denoncuar rastin.

Në lidhje me këtë rast është zhvilluar një hetim disa mujor, në të cilin janë përfshirë disa institucione vendore dhe të huaja, si dhe është bërë shkëmbim informacioni, gjë që ka rezultuar me zbulimin e identitetit të autorëve. Gjithashtu, në kuadër të hetimit, Sektori për Krime Kompjuterike dhe Forenzikë Digjitale ka zhvilluar bisedë informative me personin e parë të denoncuar dhe i ka sekuestruar pajisjet elektronike që ajo i ka përdorur për komunikim me shkrim përmes aplikacionit. Përmes analizës forenzike të të dhënave të nxjerra nga pajisjet e sekuestruara, është vërtetuar vepra penale për të cilën është paraqitur kallëzimi penal.

" "

Sa i përket aspektit ndërkombëtar të hetimit, pas një analize profesionale të transaksioneve me kriptovaluta, përmes platformave ndërkombëtare të sigurisë janë siguruar informacione të plota për pronarin e portofolit të kriptovalutave.

Duke pasur parasysh trendin në rritje të këtij lloji të mashtrimeve, Sektori për Krime Kompjuterike dhe Forenzikë Digjitale u bën apel qytetarëve që të mos u besojnë premtimeve për fitime të lehta dhe të shpejta në internet. Mashtruesit, përmes rrjeteve sociale, profileve të rreme dhe telefonatave, ofrojnë mundësi investimi në kriptovaluta, duke premtuar kthime të larta dhe të sigurta financiare. Në këtë mënyrë, ata i bindin qytetarët të transferojnë para në platforma të rreme investimi, të cilat mund të duken plotësisht legjitime.

sqShqip