Maqedoni

Viti 2021 kaloi, ja cilat ishin ngjarjet kryesore në Maqedoninë e Veriut

Vaksinimi kundër koronavirusit të ri (COVID-19), variantet e reja të koronavirusit në mbarë botën, përfshirë edhe në rajon, shënuan këtë vit që lamë pas, raporton Anadolu Agency (AA).

Krahas pandemisë, në Shqipëri dhe Kosovë u mbajtën zgjedhje parlamentare, si dhe ato lokale në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë. Në rajon nuk munguan edhe tragjeditë, zjarri në spitali modular në Tetovë që la 14 të vdekur dhe autobusi i pasagjerëve me targa të Maqedonisë së Veriut që mori flakë në perëndim të kryeqytetit Sofje të Bullgarisë, ku humbën jetën 45 persona, përfshirë 12 fëmijë.

Ngjarjet më të rëndësishme gjatë vitit 2021 në rajon❮❯
Maqedoni e Veriut

– Më 2 janar një diplomate e Maqedonisë së Veriut në Kombet e Bashkuara (OKB) u gjet e vdekur në banesën e saj në Manhattan në New York.

– Më 21 janar Kuvendi i Maqedonisë së Veriut votoi propozim-ligjin për regjistrimin e popullsisë, ekonomive dhe banesave, ligj me të cilin u mundësua që vendi të zbatojë regjistrimin pas 19 vitesh.

– Më 17 shkurt në hapësirat modulare të Klinikës Infektive në Shkup filloi vaksinimi kundër koronavirusit të ri (COVID-19), fillimisht me punonjësit shëndetësor të angazhuar në klinikat për trajtimin e pacientëve të prekur nga virusi

– Më 26 shkurt në një vendim të Gjykatës Themelore Penale të Shkupit në rastin “Target-Fortesa”, ish-kreu i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (DSK) të Maqedonisë së Veriut, Sasho Mijallkov, u dënua me 12 vjet burg, kurse ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulovska, me katër vjet.

– Më 26 shkurt në protestat e mbajtura në Shkup kundër vendimit gjyqësor “Monstra”, që shpalli tre dënime të përjetshme për veprën penale “terrorizëm”, u shënuan tensione dhe përleshje midis protestuesve dhe forcave policore të cilët nuk lejuan protestuesit të vazhdojnë marshin drejt godinës së qeverisë.

– Më 5 prill në Maqedoninë e Veriut filloi imunizimi masiv i popullsisë kundër koronavirusit të ri (COVID-19), pasi fillimisht më herët filloi imunizimi vetëm i punonjësve shëndetësor.

– Më 29 korrik në Forumin Ekonomik Rajonal, të mbajtur në Shkup, pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve midis kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, atij të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nisma e quajtur “mini-Shengen” për bashkëpunim midis vendeve të Ballkanit Perëndimor u emërua zyrtarisht “Open Balkan” (Ballkani i hapur).

– Më 2 gusht zjarri pyjor kaploi malin mbi qytetin e Koçanit, i cili përfshiu disa shtëpi në vijën e parë poshtë malit, pas çka ditën e nesërme autoritetet njoftuan se zjarri është vendosur nën kontroll.

– Më 5 shtator filloi regjistrimi i popullsisë, amvisërisë dhe banesave në Maqedonisë e Veriut, i cili zgjati deri më 30 shtator dhe ku u regjistruan 1.832.696 persona, 568.175 amvisëri dhe 837.255 banesa, duke përjashtuar 204.805 shtetas të vetë-regjistruar në diasporë.

– Më 31 gusht përmes Tbilisit, Gjeorgji, në Aeroportin Ndërkombëtar Shkup mbërritën 149 qytetarët e parë të Afganistanit që u strehohuan në vend.

– Më 9 shtator u kaplua nga zjarri spitali modular në Tetovë, ku po trajtoheshin pacientë të prekur nga koronavirusi i ri (COVID-19), tragjedi në të cilën humbën jetën 14 persona dhe mbetën të plagosur dhjetëra të tjerë.

– Më 17 tetor në Maqedoninë e Veriut u mbajt raundi i parë i zgjedhjeve lokale në 80 komuna të vendit dhe Qytetin e Shkupit, ndërsa raundi i dytë u mbajt më 31 tetor.

– Më 11 nëntor opozita në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut duhej të votohej iniciativa e opozitës për mosbesim ndaj qeverisë, por e njëjta dështoi për shkak se nuk kishte kuorum të mjaftueshëm, respektivisht nuk ishin 61 nga gjithsej 120 deputetë.

– Më 12 nëntor Lëvizja BESA, e cila ishte pjesë e koalicionit qeverisës në Maqedoninë e Veriut, njoftoi dorëheqjen e ministrave, zv/ministrave dhe drejtorëve të institucioneve qeverisëse të vendit, për shkak të pretendimit të tyre për “cenim të demokracisë” në zgjedhjet e fundit lokale në vend.

– Më 23 nëntor një autobus pasagjerësh me targa të Maqedonisë së Veriut, i cili po kthehej nga Stambolli drejt Shkupit, mori flakë në perëndim të kryeqytetit Sofje të Bullgarisë, ku humbën jetën 45 persona, përfshirë 12 fëmijë, ndërsa shtatë të tjerë mbetën të plagosur.

– Më 23 dhjetor Kuvendi i Maqedonisë së Veriut konstatoi dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev dhe të qeverisë së tij, i cili dha dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe posti i kreut të partisë në pushtet, Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), pas rezultateve të pafavorshme në zgjedhjet lokale.