Mëngjesin e sotëm, pjesëtarë të Departamentit për Krim të Organizuar pranë Byrosë së Sigurisë Publike – MPB, po kryejnë kontrolle në më shumë se 10 lokacione në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë.
Sipas informacioneve paraprake, nën hetim janë persona përgjegjës nga një spital privat dhe të punësuar në Fondin e Sigurimit Shëndetësor, të dyshuar për disa vepra penale, ndër të cilat: keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, punë e pandërgjegjshme në shërbim, mashtrim dhe pastrim parash. Burime nga hetuesia thonë se mes tyre ka edhe shqiptarë, transmeton portali Lideri.mk.
Sipas informacioneve jozyrtare, dëmi ndaj buxhetit kalon shifrën e 1,5 milion eurove, ndërsa dobia pasurore e fituar në mënyrë të paligjshme për spitalin vlerësohet në rreth 4 milion euro. Janë dëmtuar edhe një numër i madh pacientësh që janë mjekuar në këtë spital.
Siç mësojnë mediat, i kallëzuari i parë është Den Donçev, ish-drejtor i FSSH-së, në kohën e Qeverisë së kaluat.
Sipas informacioneve të para, të dyshuar janë edhe: R.A. – ish-kryetar i Këshillit Drejtues të FSSH-së, V.Q. – ish-administrator i Sante-s, S.B. – ish-pronar dhe person i autorizuar në spital, S.A. – administrator aktual, G.A. – ish-drejtor i spitalit, C.S. – ish-udhëheqës i Sektorit për Kontroll në FSSH, Zh.S. – ish-drejtor i FSSH-së, Njësia Rajonale Shkup, si dhe I.P. – udhëheqës aktual i Njësisë Rajonale Shkup.
Më shumë detaje priten gjatë ditës./Lideri


