VLEN synon t’i japë fund pasigurisë shumëvjeçare për mijëra të angazhuar në institucionet publike, përmes një propozimligji që parasheh kalimin nga kontratat e përkohshme në punësim të përhershëm.
Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it ka nënshkruar dhe dorëzuar, si bashkëpropozues, propozimligjin që synon zgjidhjen e statusit të punonjësve të cilët prej vitesh janë angazhuar me kontrata në institucionet publike.
Sipas VLEN-it, nisma përfshin të angazhuarit që plotësojnë kushtet e përcaktuara në propozimligj, duke synuar t’u japë fund pritjeve të vazhdueshme për vazhdimin e kontratave dhe pasigurisë lidhur me vendet e tyre të punës.
“Vendi i punës dhe buka e familjes nuk guxojnë të përdoren për shantazh apo për t’i mbajtur punonjësit nën varësi politike”, thuhet në kumtesën e VLEN-it.
Kalimi në punësim të përhershëm parashihet të realizohet në faza, sipas afateve të përcaktuara në propozimligj. Nisma parasheh gjithashtu mbrojtjen e punonjësve gjatë procedurës, kontrollin e mjeteve financiare dhe masa për të parandaluar vazhdimin e angazhimit me kontrata të përkohshme për periudha shumëvjeçare.
Nga VLEN-i thonë se deputetët e tyre do të angazhohen për miratimin e propozimligjit, duke theksuar se zgjidhja duhet të zbatohet pa dallime.
Me miratimin dhe zbatimin e tij, synohet që punonjësit që kanë shërbyer për vite në institucionet publike të fitojnë siguri më të madhe në punësim.

