Shërbimet franceze të sigurisë kanë sekuestruar 68 kilogramë kokainë në pikën e pagesës së autostradës Fontaine në Francë, pasi kishin marrë informacione operative nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë.
Rasti është një tjetër shembull i rëndësisë së shkëmbimit të informacioneve policore në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të drogës.
Kokaina u zbulua në një automjet transportues të drejtuar nga shtetasi i Maqedonisë M. F. (44), njoftoi MPB-ja.
Sekuestrimi u realizua në bazë të informacioneve të siguruara nga policia jonë, të cilat iu përcollën autoriteteve kompetente franceze përmes kanaleve ndërkombëtare të bashkëpunimit policor.
Rol kyç në aksion patën Departamenti i Policisë Kriminalistike dhe Njësia për Trafikimin e Paligjshëm të Drogave.
Informacionet operative të siguruara nga këto njësi iu përcollën shërbimeve franceze përmes Sektorit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor dhe Europol-it, pas së cilës u realizua aksioni në Francë.
Nga MPB-ja theksojnë se ky është aksioni i dytë i suksesshëm ndërkombëtar gjatë muajit të fundit, në të cilin rol kyç kanë pasur informacionet e siguruara nga policia maqedonase.
Më herët, në bashkëpunim me policinë greke, u realizua një aksion gjatë të cilit u sekuestruan 324 kilogramë marihuanë.
Të dyja aksionet tregojnë se bashkëpunimi policor ndërmjet shteteve nuk kufizohet vetëm në shkëmbimin e dokumenteve dhe njoftimeve formale.
Informacionet operative të siguruara në kohë mund të jenë vendimtare për zbulimin e ngarkesave me drogë dhe realizimin e aksioneve konkrete edhe jashtë kufijve të shtetit prej nga vijnë informacionet.

