Një skemë e dyshuar mashtrimi me kredi të shpejta konsumatore dyshohet se ka dëmtuar disa qytetarë në Kumanovë, duke u shkaktuar dëme financiare në vlerë prej mbi 12 milionë denarësh.
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se ka ngritur kallëzim penal ndaj dy femeave nga Kumanova dhe pesë punonjësve bankarë, të dyshuar për përfshirje në këtë rast.
Edhe pse nuk është publikuar identiteti i plotë, megjithatë janë paraqitur detaje të reja për dy femrat e involvuara në këtë rast, transmeton portali Lideri.mk.
Bëhet fjalë për një vajzë 23 vjeçare, e cila i ka marë paratë, e pastaj i ka ndarë ato me femrën tjetër të moshës 34 vjeçare, por edhe me pesë të punësuarit në bankë, emrin e të cilës MPB nuk e bën publik.
Sipas MPB-së, skema dyshohet se është zhvilluar nga janari deri në korrik të vitit 2026. Gjatë kësaj periudhe, njëra nga të dyshuarat, në 18 raste të ndara, dyshohet se ka përdorur të dhënat personale të disa qytetarëve për të aplikuar për kredi konsumatore në emrat e tyre, pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre.
“E dyshuara e parë, në periudhën nga janari deri në korrik të vitit 2026, në 18 raste, duke shfrytëzuar të dhënat personale të disa personave, ka aplikuar në emër të tyre dhe pa pëlqimin e tyre për kredi të shpejta konsumatore. Pas miratimit dhe pagesës së parave, ato janë përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme nga e dyshuara e parë dhe e dyta”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Reklamë
Por dyshimet nuk ndalen vetëm te dy gratë. Në këtë rast janë përfshirë edhe pesë punonjës bankarë, të cilët, sipas policisë, dyshohet se kanë mundësuar realizimin e mashtrimit dhe disponimin e parave të përfituara nga kreditë. Sipas MPB-së, punonjësit, të angazhuar në një filial të një banke, dyshohet se kanë keqpërdorur pozitën dhe autorizimet zyrtare, duke u mundësuar dy grave të përfitonin pasuri në mënyrë të kundërligjshme.
Dëmi i përgjithshëm i shkaktuar disa qytetarëve vlerësohet në 12 milionë e 221 mijë e 500 denarë. Ndaj dy grave është paraqitur kallëzim penal për mashtrim dhe keqpërdorim të të dhënave personale, ndërsa ndaj pesë punonjësve bankarë për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar.

