Maqedoni

Një muaj nga tragjedia në Bullgari, rasti pa epilog!

Sot janë bërë një muaj nga aksidenti tragjik i autobusit të Besa Trans në rrugën Struma në Bullgari, ku humbën jetën 45 shtetas nga Maqedonia e Veriut dhe u lënduan 7 të tjerë.

Ende nuk dihen shkaqet që sollën deri te aksidenti që u mori jetën 45 udhëtarëve që ktheheshin nga Turqia për në Maqedoninë e Veriut, derisa fajtori kryesor shihet vozitja e shpejtë e shoferit – poashtu i ndjerë.

Megjithatë, parregullsi u konstatuan në qarkullimin e autobusit të aksidentuar. Nuk posedonte lejen përkatëse për transport të udhëtarëve nga Maqedonia e Veriut për në Turqi, ndërkaq 130 herë kishte kaluar kufirin.

Lëshime në qarkullimin e autobusëve në këtë linjë u konstatua edhe te një tjetër autobus. I vërtetua se një autobus duke falsifikuar dokumente tentoi të transportojë udhëtarë në Turqi.

Se a janë kontrolluar të gjitha licencat e dhëna për autobusët që kryejnë transport të udhëtarëve, për këtë TV21 pyeti sot ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoja Boçvarski.

“Ne si Ministri veprojmë çdo ditë. Aty ku sipas ligjit mundemi, menjëherë veprojmë dhe i marrim edhe licencat dhe të gjitha dokumentet për të cilat kompanitë nuk kanë dokumentet e nevojshme apo kanë shkelur ndonjë nen të ligjeve.

Rasti është duke u hetuar nga Prokuroria Bullgare, por hetim paralel është duke u zhvilluar edhe nga Prokuroria Publike Themelore për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit për pjesën e kalimit të autobusit të Besa trans pa licencë përkatëse.

Janë suspenduar doganierë në vendkalimin kufitar Deve Bair, dyshime ka edhe për sinjalizimin rrugor joadekuat në rrugën ku është aksidentuar autobusi, ndërkaq zjarri që mori jetën e 45 personave thuhet se filloi nga pjesa e përparme e autobusit, pasi një bankinë ku ishte përplasur autobusi kishte depërtuar brenda autobusit dhe kishte dëmtuar rezervuarin.