Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta në Turqi të Lindës Güler, humanistes, gazetares dhe prezantueses, e cila me përkushtimin, profesionalizmin dhe vlerat e saj njerëzore la gjurmë në jetën e shumë njerëzve.
Me prejardhje nga Kumanova dhe e vendosur në Stamboll, Linda Güler ishte një emër i njohur për angazhimin e saj në gazetari, media dhe veprimtari humanitare. Ajo kontribuoi edhe në promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare në mesin e shqiptarëve në Turqi.
Gjatë karrierës së saj, ajo punoi në Radio Albana dhe në televizionin NEWS në Kumanovë, ndërsa ishte e angazhuar edhe në projekte e emisione televizive, përfshirë bashkëpunimin me Televizionin News.
Një kujtim i veçantë nga veprimtaria e saj mbetet angazhimi gjatë viteve 1996–1997, kur drejtonte emisionin për fëmijë në radion “AS-HANA” në Kumanovë. Përmes këtij emisioni, Linda u bë pjesë e kujtimeve të një brezi dëgjuesish, duke përcjellë ngrohtësi, përkushtim dhe dashuri për botën e fëmijëve.
Por Linda Güler nuk do të kujtohet vetëm për punën e saj në media. Ajo do të mbahet mend edhe për humanizmin, ndjeshmërinë dhe gatishmërinë për t’u gjendur pranë njerëzve në nevojë. Ishte një grua me vlera të veçanta njerëzore, e cila përmes veprimtarisë së saj kulturore dhe humanitare dha kontribut të çmuar për komunitetin.
Largimi i saj nga jeta lë një boshllëk të madh te familjarët, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që patën rastin ta njohin e të bashkëpunojnë me të.
Linda Güler do të mbetet në kujtesë si një zë i dashur i programeve për fëmijë, një profesioniste e përkushtuar dhe një njeri me zemër të madhe, që dinte të dhuronte mirësi dhe të linte gjurmë në jetën e të tjerëve.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Güler, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën.
Ekipi i portalit tonë Lideri.mk i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Güler
U prehtë në paqe!

