Maqedoni

ASH për faljen e të burgosurve: Funksionarët e BDI-së vetëm legjitimojnë vendimet bandite të këtij regjimi

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ndaj deklaratave të zv.ministrit të Drejtësisë Agim Nuhiu, në lidhje me propozimin e këtij dikasteri për faljen e disa të burgosurve nga presidenti i shtetit.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se “si gjithmonë edhe në skandalin e fundit me kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë drejtuar Presidentit, për faljen e disa kriminelëve dhe vrasësve të fëmijëve si Sead Koçan dhe Boban Iliq, funksionarët e BDI-së vazhdojnë me fshehjen qyqare të dorës që gjuan gurin”.

“Deklarata e zëvendës ministrit të drejtësisë, Agim Nuhiu, i cili ngjashëm veproi edhe më 27 prill, vetëm se dëshmon që ai dhe bashkëpartiakët e tij janë në Qeveri vetëm për të legjitimuar vendimet banditeske të këtij regjimi”.

“Në vend se të distancohet, Nuhiu duhet të saktësojë nëse është qyqar dhe fshihet pas Mariçiqit, apo është kukull të cilin se pyet askush për asgjë në atë ministri. Në të dyja rastet ai duhet të largohet menjëherë nga ai post pasi vetë e pranoi se nuk është i denjë për të njejtin, ashtu siç s’ka qenë asnjëherë deri më tani”, thonë nga ASH.

Ndryshe, Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar një listë me emrat e personave të burgosur, për të cilët kërkon falje të pjesërishme ose të plotë, ndërsa për këtë listë zv.ministri tha se nuk pajtohet, duke shtuar se në të nuk do të ketë emra kontestues.

Theksojmë që në këtë listë është vrasësi i Almirit 4-vjeçar, Boban Iliq, biznesmeni Sead Koçan dhe i dënuari për ngjarjet e 27 prillit, Aleksandar Vasilevski (Ninxha).