Maqedoni

Pendarovski i përgjigjet Zaevit: Nuk e kam ndryshuar qëndrimin për “Ballkanin e Hapur”

Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski sot tha se qëndrimi i tij për Ballkanin e Hapur nuk ka ndryshuar asnjëherë, shkruan TV21. Pendarovski thotë se nuk ka rëndësi nëse dikush e ka kuptuar tani qëndrimin e tij që sipas tij, nuk ka ndryshuar asnjëherë.

“Qëndrimi im për Ballkanin e Hapur është që nga vjeshta e vitit 2019 dhe deri më sot nuk ka ndryshuar. Kush e ka kuptuar në vitin 2019, ndërsa kush e ka kuptuar sot, kjo është problemi i tij. Është i njëjti qëndrim”, deklaroi Pendarovski.

Ndryshe, Pendarovski gjatë vizitës së tij në Prishtinë deklaroi se kjo iniciativë ka mangësi dhe se nuk mund të jetë i suksesshëm, ndërkaq deklaratat e të parit të shtetit kishin ngjallur reagime nga kryeministri Zoran Zaev, i cili për TV21 tha se është e pakuptueshme se përse dikush do të ishte kundër miqësisë me fqinjët, përafrimit të të rinjve dhe popujve të Ballkanit Perëndimor dhe kundër shkëmbimit më të lehtë dhe më të shpejtë ekonomik mes vendeve të rajonit.