Kim Mehmeti: Ballkani edhe deri tani ka qenë i hapur për hajdutët, mafien dhe kriminelët
Nga Kim Mehmeti
Sa e di unë, Ballkani edhe deri tani ka qenë i hapur për hajdutët, mafien dhe kriminelët! Edhe deri më tani kufijtë e shteteve të këtushme kanë ekzistuar vetëm për skamnorët, për mërgimtarët, të cilëve u merret ryshfet për ta kaluar kufirin si dhe për të papushtetshmin, e jo për banditit e veshur me petkun e pushtetit, e të cilëve u përkulen kufitarë e doganierë!
Dhe në Tiranë sot janë takuar drejtuesit e tre shteteve më të korruptuara të këtyre hapësirave, mes të cilëve edhe ai i Maqedonisë që u dha pasaporta qindra kriminelëve më të njohur të botës, e për çka nuk mbajti përgjegjësi askush.
Pra në Tiranë kuvendojnë Presidenti i Serbisë, luftënxitësi i dalë nga kapota antishqiptare e Millosheviqit, Kryeministri i dorëhequri i Maqedonas dhe, nikoqiri i tyre, Piktori, i cili e rrënoi Tetarin Kombëtarë në Tiranë, por siç duket, do i ngre vetvetes përmendore në mes të Beogradit.
Dhe siç duket, projektuesit e ‘Ballkanit të Hapur” nuk e kanë kuptuar se ata ndërtuan banana-shtete, se problemi i vendeve të tyre nuk është pse ato nuk i do Evropa, po pse nuk i duam as ne që jetojmë në to.
Nuk dua të vë shenjë barazimi, por me diçka, takimi i tre burrështetasve ballkanik në Tiranë, m’i rikujton kuvendet e ‘kryefamiljarëve’ mafioz, e të cilët mblidhen herë pas here, sa për t’ia puthur dorën dhe, sa për t’i shprehur besnikëri ‘kumbarës’ së tyre! (Kim Mehmeti)