Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari ka bërë thirrje për dialog gjithëpërfshirës mes palëve në Shqipëri, duke shprehur shqetësimin për zhvillimet e fundit dhe pamjet e dhunës gjatë protestave.
Duke folur në emisionin “Click plus” në TV21, Shasivari ka deklaruar se situata në Shqipëri është brengë për çdo shqiptar, ndërsa ka theksuar nevojën për gjetjen e një zgjidhjeje përmes dialogut dhe shmangies së përshkallëzimit të tensioneve.
“Është brengë e çdo shqiptari dhe, duke u nisur nga kjo, apeli im do të ishte që të gjendet një mënyrë e dialogut gjithëpërfshirës mes të gjitha palëve”, ka deklaruar Shasivari.
Ai ka shprehur pritjen që presidenti i Shqipërisë të angazhohet më aktivisht në tejkalimin e situatës, duke iu referuar rolit të tij kushtetues në përfaqësimin dhe simbolizimin e unitetit të popullit.
“Uroj që sa më shpejt të arrihet një mekanizëm i dialogut. Pres që presidenti i Shqipërisë të ketë një rol më aktiv në këtë situatë. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë parasheh një mekanizëm të tillë, ndërsa presidenti simbolizon unitetin e popullit dhe duhet të jetë më aktiv në periudhën që vjen”, u shpreh ministri.
Shasivari ka përmendur gjithashtu mesazhet e liderëve fetarë për qetësim dhe gjetjen e një rrugëzgjidhjeje, duke theksuar se dhuna dhe pamjet e përballjeve me protestuesit janë shqetësuese.
“Ka pasur edhe mesazhe nga liderët fetarë për qetësim, për gjetjen e rrugëzgjidhjes dhe shmangien e dhunës. Pamjet e dhunës dhe të trajtimit jolegjitim të protestuesve dhembin”, ka thënë ai.
Ai ka përmendur edhe rolin e mundshëm të bashkësisë ndërkombëtare në këtë proces, duke shprehur njëherësh pritjen që të ketë angazhim për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje.

