Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka deklaruar se do të ketë zgjidhje për realizimin e Provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke e cilësuar këtë proces si reformë rrënjësore dhe progres të rëndësishëm gjuhësor.
Duke folur në emisionin “Click plus” në TV21, Shasivari ka ndarë detaje nga takimi me studentët, dekanët dhe përfaqësuesit e fakulteteve juridike i cili, sipas tij kishte zgjatur mbi dy orë e 45 minuta.
Ai ka theksuar se qasja institucionale e Ministrisë së Drejtësisë është vlerësuar nga përfaqësuesit akademikë, ndërsa ka nënvizuar rolin e ministrisë si urë lidhëse ndërmjet pushtetit ekzekutiv, gjyqësorit, prokurorisë dhe komunitetit akademik.
“Dekanët dhe përfaqësuesit e fakulteteve juridike më falënderuan për këtë qasje institucionale. Kur jam zgjedhur, kam thënë se do të jem urë lidhëse dhe ata u shprehën të kënaqur me këtë qasje”, ka deklaruar Shasivari.
Ministri ka bërë të ditur se do të organizohen edhe takime të tjera me palët e përfshira, duke theksuar rëndësinë e unifikimit të literaturës për Provimin e jurisprudencës.
“Do të kemi një cikël takimesh. I informova edhe studentët dhe dekanët, ndërsa i ftoj edhe profesorët universitarë që të unifikohet literatura. Për herë të parë pas shumë vitesh do të ketë zgjidhje. Është reformë rrënjësore, është një progres i madh gjuhësor”, ka thënë Shasivari.
Duke iu referuar kohës së nevojshme për realizimin e këtij procesi, ai ka theksuar se nuk ka përmendur përqindje, por se po i numëron ditët deri në heqjen e barrierës gjuhësore.
“Nuk kam përmendur përqindje fare. Unë i bëj përllogaritjet mirë, jo me kalkulator, por me orë. I numëroj ditët e fundit kur do të hiqet kjo barrierë gjuhësore”, është shprehur ministri, duke e cilësuar këtë si një zhvillim të rëndësishëm pas shumë dekadash.
“’Do të flitet shqip o taj’. Ua thashë këtë edhe studentëve. Kjo ndodh për herë të parë pas 60 vitesh”, ka deklaruar Shasivari.

