Imami i Xhamisë së Madhe në Durrës, Ervin Qylafku, i është drejtuar me një letër të hapur Kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar të reflektojë mbi situatën politike në vend dhe të japë dorëheqjen. Në mesazhin e tij, Qylafku akuzon qeverinë për humbje të besueshmërisë dhe të legjitimitetit moral përballë qytetarëve, duke theksuar se largimi i kryeministrit do të ndihmonte në ndalimin e përkeqësimit të situatës. Ai paralajmëron se refuzimi për të dëgjuar qytetarët mund të lërë pasoja të pariparueshme në trashëgiminë politike të Ramës, ndërsa nënvizon nevojën për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve dhe rrezikun e përplasjeve mes shqiptarëve.

LETËR E HAPUR

Drejtuar: Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama

Zoti Kryeministër, përmes kësaj letre të hapur po ju drejtohem publikisht për t’ju bërë thirrje të relektoni mbi gjendjen që po përjeton vendi ynë dhe të merrni vendimin e vetëm të duhur që ju ka mbetur: të jepni dorëheqjen.

" "

Dorëheqja juaj sot nuk do t’i fshijë dëmet e mëdha të shkaktuara, por të paktën do të shërbejë si një hap minimal për të ndalur përkeqësimin e mëtejshëm dhe për të rregulluar diçka nga zullumet e qeverisë dhe të ministrave tuaj.

Kabineti juaj ka humbur çdo lloj besueshmërie dhe legjitimiteti moral përpara qytetarëve shqiptarë. Nëse refuzoni të dëgjoni zërin e arsyes dhe vazhdoni të mbaheni pas karriges, pasojat e historisë suaj politike do të jenë të pariparueshme:

Do të mbaheni mend si kryeministri më i urryer i Shqipërisë që nga koha e Mehmet Shehut. Koha për arsyetime ka mbaruar.

Shqipëria dhe qytetarët e saj meritojnë një të ardhme tjetër, të çliruar nga korrupsioni dhe dështimet e kësaj qeverisjeje. Të vetmin shërbim që mund t’i bëni shqiptarëve në këto momente është të ruani gjakderdhjen dhe vëllavrasjen.

Jepni dorëheqjen tani!

sqShqip