Një 30-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Dibër, pasi dyshohet se transportonte me taksi një kallashnikov dhe një pistoletë, së bashku me municion luftarak.

Armët u zbuluan gjatë kontrollit të automjetit, në zonën e rrethrrotullimit të Bllatës.

Policia e Dibrës ka finalizuar operacionin e koduar “Taksia”, në kuadër të të cilit u arrestua shtetasi A. T., 30 vjeç, banues në Durrës.

Gjatë kontrollit të taksisë që drejtohej nga 30-vjeçari, shërbimet e Policisë gjetën në sediljen e pasme një armë zjarri kallashnikov me 13 fishekë, si dhe një pistoletë me një fishek në fole dhe një tjetër në krehër.

" "

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se armët ishin marrë në zonën e Tufinës, në Tiranë, me qëllim transportimin e tyre drejt Maqedonisë së Veriut.

Dy armët e zjarrit dhe municioni luftarak u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

sqShqip