Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq ka deklaruar se dy shtete anëtare të Bashkimit Evropian ia kanë humbur Maqedonisë së Veriut 21 vite në procesin e integrimit evropian, duke iu referuar bllokadave të mëparshme nga Greqia dhe Bullgaria.

Deklarata e tij vjen në kohën kur Gjermania po ushtron presion diplomatik ndaj Zagrebit që të mos pengojë anëtarësimin e Malit të Zi në BE, për shkak të tetë kushteve të vendosura nga Kroacia.

“Në vitin 2000, Maqedonia e Veriut ishte përpara Kroacisë në aspektin institucional, ndërsa ende nuk i ka hapur negociatat. Dy shtete, nga viti 2005 deri më 2026, i morën 21 vite nga afrimi i saj institucional me BE-në”, deklaroi Plenkoviq në Bruksel.

Ai këmbëngul se Kroacia, ndryshe nga rastet e mëparshme të bllokimit të Maqedonisë së Veriut, po vepron në mënyrë konstruktive ndaj Malit të Zi, duke kërkuar zgjidhjen e çështjeve që lidhen me vlerat evropiane.

" "

### Berlini kërkon zgjidhje për mosmarrëveshjen

Sipas Euronews, Gjermania është angazhuar intensivisht për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kroacisë dhe Malit të Zi. Qeveria e kancelarit Friedrich Merz ka ofruar ndërmjetësim, megjithëse kjo nismë ende nuk është realizuar.

Berlini shqetësohet se pengimi i Malit të Zi, i konsideruar ndër kandidatët më të avancuar për anëtarësim, mund të dëmtojë procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Në përpjekjet diplomatike është përfshirë edhe Komisioni Evropian.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, paralajmëroi se procesi i zgjerimit nuk duhet të bëhet peng i mosmarrëveshjeve dypalëshe.

“Është shumë e rëndësishme që procesin e zgjerimit të mos e shndërrojmë në çështje dypalëshe. Evropa është një kontinent shumë i vogël dhe duhet të jemi më të fortë së bashku”, deklaroi Kallas.

### Tetë kushtet e Kroacisë për Malin e Zi

Kroacia i ka paraqitur Malit të Zi tetë kërkesa, gjashtë prej të cilave lidhen me Kapitullin 23, që përfshin gjyqësorin dhe të drejtat themelore, ndërsa dy të tjerat me Kapitullin 31, që ka të bëjë me politikën e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen.

Çështjet kryesore lidhen me trashëgiminë e luftërave të viteve ’90, hetimin e krimeve të luftës, kompensimin e viktimave, pretendimet pronësore dhe mosmarrëveshjet kufitare.

Pas ndërhyrjes së Plenkoviqit, nga projektkonkluzionet e Këshillit Evropian janë hequr afatet që parashikonin mbylljen e përkohshme të të gjithë kapitujve negociues deri në fund të vitit 2026 dhe përfundimin sa më të shpejtë të marrëveshjes së anëtarësimit.

Megjithatë, kjo nuk përbën vendim formal për ndërprerjen e negociatave.

### Maqedonia e Veriut kërkon garanci për të shmangur bllokadat e reja

Maqedonia e Veriut e fitoi statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2005, por për vite me radhë u pengua nga kontesti i emrit me Greqinë.

Pas Marrëveshjes së Prespës në vitin 2018, pengesë e re u bë mosmarrëveshja me Bullgarinë, e cila në vitin 2020 bllokoi miratimin e kornizës negociuese.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut vazhdon të kërkojë garanci që përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë të mos pasohet nga kushte dhe bllokada të reja.

Kryeministri Hristijan Mickoski propozon që ndryshimet kushtetuese të hyjnë në fuqi pas përfundimit të negociatave të anëtarësimit, por Sofja e ka refuzuar këtë propozim.

Takimi i fundit ndërmjet përfaqësuesve të diplomacisë së dy vendeve nuk solli afrim të qëndrimeve, megjithëse Mickoski ka paralajmëruar vazhdimin e dialogut me përfshirje më të madhe të institucioneve evropiane.

sqShqip