Me rastin e 15 Tetorit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas Rurale, zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, ka uruar gratë rurale, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së tyre ekonomike dhe krijimit të mundësive për zhvillim.

Hoxha ka njoftuar se është hapur thirrja publike për Masën 115 – “Mbështetje për anëtaren aktive femër në ekonominë bujqësore”, përmes së cilës parashihet mbështetje financiare deri në 360 mijë denarë për përfituese.

“Gratë në zonat rurale kanë një rol të rëndësishëm në prodhimin bujqësor, ekonominë familjare dhe zhvillimin e fshatit. Puna dhe përkushtimi i tyre meritojnë jo vetëm mirënjohje, por edhe mbështetje konkrete. Pikërisht në këtë ditë, hapja e thirrjes publike është një mundësi e mirë për gratë që dëshirojnë të investojnë dhe të zhvillojnë aktivitetin e tyre ekonomik”, ka theksuar Hoxha.

Mjetet financiare në kuadër të kësaj mase janë të dedikuara për investime në pajisje për përpunimin dhe përgatitjen e produkteve bujqësore, si dhe për shërbime të lidhura me realizimin e planit të biznesit.

" "

Të drejtë aplikimi kanë ekonomitë bujqësore ku bartëse ose anëtare është një grua dhe që janë të regjistruara në Regjistrin e Vetëm të Ekonomive Bujqësore.

Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është 13 nëntori 2026, ndërsa dokumentacioni dhe kushtet e thirrjes janë të publikuara në faqen zyrtare të Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, www.ipardpa.gov.mk.

Në fund, zëvendësministri Hoxha ka uruar të gjitha gratë rurale, duke vlerësuar kontributin e tyre të përditshëm në ruajtjen e traditës bujqësore, ekonominë familjare dhe zhvillimin e zonave rurale.

sqShqip