Në kuadër të muajit ndërkombëtar të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, Kuvendi Studentor i Universitetit të Tetovës organizoi panelin e diskutimit me temë: “Përtej diagnozës – Një qasje multidisiplinare ndaj kancerit të gjirit”. Përmes këtij paneli Kuvendi Studentor përcolli një mesazh të thjeshtë, por jetik: një kontroll, mund të ndryshojë një jetë. Aktiviteti mblodhi studentë, profesorë dhe qytetarë të interesuar, ndërsa paneli përbëhej nga profesionistë të njohur të fushës së mjekësisë dhe psikologjisë, të cilët trajtuan aspektet kryesore të përballjes me këtë sëmundje.

Këtë panel diskutimi e hapi kryetari i Kuvendit Studentor të Universitetit të Tetovës, Gent Kurtishi, i cili tha se ky aktivitet është organizuar për të përcjellë një mesazh të rëndësishëm për shëndetin, ndërgjegjësimin dhe solidaritetin me të gjitha gratë që përballen me kancerin e gjirit. “Kanceri i gjirit prek shumë gra, por informimi, kontrollet mjekësore dhe kujdesi i duhur mund të bëjnë një ndryshim të madh. Prandaj është e rëndësishme që të flasim hapur për këtë temë dhe të inkurajojmë çdo grua që të kujdeset për shëndetin e saj. Si të rinj dhe si studentë, le të bëhemi zëri i ndërgjegjësimit, i mbështetjes dhe i shpresës. Le të qëndrojmë pranë çdo gruaje që po përballet me këtë sfidë dhe t’u tregojmë se nuk janë vetëm. Parandalimi fillon me vetëdijen, ndërsa shpresa forcohet përmes solidaritetit.” – tha kryetari i Kuvendit Studentor të Universitetit të Tetovës, Gent Kurtishi.

Ndërkaq në emër të Fakultetit të Shkencave Mjekësore foli u.d. dekani Prof. Dr. Muhamed Tairi. Ai theksoi se organizimi i këtij aktiviteti nga Kuvendi Studentor, dëshmon se studentët tanë dinë ta lidhin jetën universitare me nevojat e komunitetit dhe ta shndërrojnë interesimin për shëndetin në angazhim konkret. “Tema e sotme e këtij paneli na mundëson ta shohim të gjithë përvojën e një personi që përballet me këtë sëmundje. Prania e panelistëve nga radiologjia, kirurgjia dhe psikologjia na jep mundësinë ta kuptojmë këtë temë nga këndvështrime që e plotësojnë njëri-tjetrin. I falënderoj panelistët për gatishmërinë e tyre që njohuritë dhe përvojën e tyre t’i ndajnë me ne. Ju ftoj ta shfrytëzoni këtë panel për të dëgjuar, pyetur dhe diskutuar, si dhe t’i përcillni njohuritë e sotme edhe jashtë kësaj salle. Kështu, ky aktivitet merr vlerë edhe për familjarët dhe komunitetin tonë.” tha u.d. dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore, Prof. Dr. Muhamed Tairi.

Më pas panelistët elaboruan mbi problematikat e kësaj sëmundjeje, rëndësinë e diagnostikimit të hershëm, vizitat e rregullta te mjekët dhe aspektin psikologjik të pacientëve. Prof. Dr. Argjend Imeri – Radiolog, ligjëroi mbi temën “Diagnostikimi i hershëm i kancerit të gjirit”. Ai vuri theksin te rëndësia e zbulimit të hershëm përmes metodave bashkëkohore të imazherisë, si mamografia dhe ekografia; Doc. Dr. Ilir Vela – kirurg torakal, prezantoi temën “Roli i kirurgjisë në trajtimin e kancerit të gjirit”. Gjatë fjalës së tij, ai shtjelloi ndërhyrjet e ndryshme kirurgjikale, teknikat për ruajtjen e gjirit, mastektominë dhe zhvillimet e fundit në kirurgjinë onkoplastike, ndërsa, Prof. Dr. Luljeta Bexheti –psikologe, u fokusua në “Dimensionin psikologjik të përballjes me kancerin e gjirit”. Ajo nënvizoi sfidat emocionale pas diagnozës, rolin e rëndësishëm të mbështetjes familjare dhe hapat drejt rikuperimit të vetëbesimit te pacientet.

" "

Aktiviteti u përmbyll në frymën e fushatës sensibilizuese “Tetori Rozë”, me apelin drejtuar qytetarëve: “Informohu. Kontrollohu. Kujdesu.”, duke i nxitur të gjitha gratë dhe vajzat të bëjnë kontrolle të rregullta parandaluese.

sqShqip