Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka rishikuar në rritje parashikimin për zhvillimin ekonomik të Maqedonisë së Veriut për vitin 2026, nga 3,1% në 3,5%. Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, e ka vlerësuar këtë si një sinjal pozitiv për ekonominë e vendit dhe si dëshmi se politikat ekonomike po japin rezultate.
Sipas Durmishit, ky vlerësim pozitiv vjen pasi edhe Banka Botërore ka rritur parashikimin e saj për rritjen ekonomike të vendit, nga 2,9% në 3,2%, duke konfirmuar pritshmëritë për një zhvillim më të fuqishëm ekonomik.
Ministri Durmishi theksoi se këto parashikime janë veçanërisht inkurajuese në një periudhë kur ekonomia globale po përballet me sfida të shumta. Sipas parashikimeve të FMN-së, Maqedonia e Veriut renditet ndër ekonomitë me rritjen më të lartë të pritshme në rajon.
“Qëllimi ynë është i qartë – që rritjen ekonomike ta ndiejnë qytetarët dhe kompanitë”, theksoi Durmishi.
Ai nënvizoi se Ministria e Ekonomisë dhe Punës mbetet e përkushtuar në mbështetjen e kompanive vendore, nxitjen e investimeve, krijimin e vendeve të reja të punës me paga më të larta, si dhe ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe konkurruese.
Durmishi bëri të ditur se reformat ekonomike do të vazhdojnë me fokus në përmirësimin e klimës së biznesit, rritjen e produktivitetit dhe forcimin e standardit jetësor të qytetarëve.
“Suksesi i vërtetë i ekonomisë nuk matet vetëm me përqindjet e rritjes, por edhe me jetën më të mirë të qytetarëve”, është mesazhi i ministrit Durmishi.
Rishikimi pozitiv i parashikimeve nga dy institucionet financiare ndërkombëtare përbën një sinjal inkurajues për perspektivën ekonomike të vendit, ndërsa ministri Durmishi rithekson se prioritet mbetet shndërrimi i rritjes ekonomike në përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset.

