Deri në fund javës dihen emrat e drejtorëve nga Alternativa
Deri në fundjavë do të dihen disa nga emrat e bartësve të funksioneve nga Alternativa. Në partinë e udhëhequr nga Afrim Gashi po zhvillohen bisedimet për të përcaktuar bartësit e të gjitha funksioneve, drejtorive dhe ndërmarrjeve publike të cilat i takojnë Alternativës me marrëveshjen e re për koalicion. Si emra që përmenden janë Bekim Sali – ministër i Shëndetësisë, Admirim Aliti – ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Orhan Murtezani – drejtor në MEPSO, Amir Elezi – drejtor i Spitalit të Tetovës dhe të tjerë.
Pasi të kalojnë në organet partiake, emrat e drejtorëve do t’i dorëzohen Qeverisë për emërim. Ndërsa ministrat dhe zv/ministrat nga Alternativa do të propozohen bashkë me Qeverinë e re, të cilën do ta udhëheqë kryetari i ri i LSDM-së Dimitar Kovaçevski.
Ndërkohë kryetari i ri i LSDM-së Kovaçevski ka takuar sot partitë e vogla të koalicionit të LSDM-së. Në takimin me udhëheqësinë e PLD-së, janë dakorduar politikat programore me rëndësi për partinë Liberal Demokrate, kryesisht në sferën e ekonomisë, ekologjisë dhe reformave zgjedhore.
PLD
“Janë miratuar kërkesat tona të cilat do të afirmojnë politikat tona liberale. Ato janë: rrumbullakësimi i procesit të decentralizimit, hapja e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, sjellja e modelit me një njësi zgjedhore, lista të hapura për zgjedhjen e këshilltarëve, rregullim i tregut me kriptovalutat, ndryshime në Ligjin për Ndërtim dhe Planifikim Urbanistik me qëllim ndalimin e kaosit në qendrat e qyteteve dhe vendosja e theksit te jeta humane dhe ekologjia”.
Përveç me PLD-në, Kovaçevski bashkë me Zaevin takohen edhe me partnerët e tjerë të koalicionit me të cilët morën pjesë bashkë në zgjedhjet e fundit parlamentare. /SHENJA/